Johnson “ngushtohet” nga pyetja e opozitës për Jemenin: Do të mund të pyesje për pandeminë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është munduar t’i shmanget pyetjes së shefit të opozitës nga Partia Laburiste, Keir Starmer, rreth pakësimit të ndihmave për Jemenin.

Bota

03/03/2021 16:04

Pas pyetjeve të përsëritura të kryetarit të Partisë Laburiste në opozitë, shefi i qeverisë britanike para deputetëve tha: “Ai do të mund të pyeste për pandeminë e koronavirusit, zotëri kryetar. Në vend të kësaj, ai i ka përqendruar pyetjet e veta tërësisht në interesin e popullit të Jemenit.”

Kryeministri britanik pyeti se pse kundërshtari i tij politik nuk i ka kufizuar pyetjet te çështjet e momentit, duke nxitur qeshje në fytyrën e shefit të opozitës, shkruan Independent.

Këtë javë, Britania njoftoi se këtë vit do t’i dhurojë më pak se gjysmën e ndihmave për Jemenin që ka dhënë më parë, pavarësisht paralajmërimit të Kombeve të Bashkuara se miliona njerëz do të mbeten të uritur dhe qindra mijëra të tjerë tashmë janë duke vuajtur nga uria.

Mbretëria e Bashkuara gjithashtu është përballur me kritika për shitjen e armëve në Arabinë Saudite, shtet që po lufton kundër rebelëve Houthi në Jemen.

Kryeopozitari Starmer i filloi pyetjet ndaj Johnsonit duke thënë: “Si ka mundësi që kryeministri t’i justifikojë shitjen e armëve në Arabinë Saudite dhe pakësimin e ndihmave ndaj njerëzve që po vdesin urie në Jemen?”

Johnson u kundërpërgjigj duke thënë se qeveria e tij i ka rritur shpenzimet për ndihma të jashtme në nivelin më të lartë të historisë së vendit, por “rrethanat shtrënguese” e kanë bërë të detyrueshëm një pakësim të përkohshëm, duke iu referuar pandemisë.

Organizata “Save the Children”, e cila e kundërshton pakësimin e ndihmave për Jemenin nga qeveria britanike, tha se komentet e kryeministrit janë thellësisht trishtuese. “Ai mund të mos mendojë se kjo është çështje e momentit, por për fëmijët e Jemenit nuk ka pyetje tjera”, tha një zëdhënës i kësaj organizate.