Konjufca në Antalia: Rusia po synon destabilizimin e Ballkanit përmes veprimeve hibride
Glauk Konjufca mori pjesë në panelin e ministrave të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia, Turqi, ku u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe sfidat e sigurisë në rajon. Në fjalën e tij, Konjufca theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar atë si thelbësor për…
Lajme
Glauk Konjufca mori pjesë në panelin e ministrave të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia, Turqi, ku u diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe sfidat e sigurisë në rajon.
Në fjalën e tij, Konjufca theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar atë si thelbësor për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe forcimin e stabilitetit rajonal. Ai bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve dhe instrumentalizimit të tyre politik, transmeton lajmi.net.
Një fokus i veçantë iu kushtua çështjeve të sigurisë, të cilat sipas tij janë parakusht për zhvillim dhe stabilitet. Konjufca theksoi se pas agresionit rus ndaj Ukrainës, pasojat e zhvillimeve gjeopolitike janë reflektuar edhe në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, ai deklaroi se është në interes të Federatës Ruse që konflikti të zgjerohet dhe të ndikojë në rajon përmes veprimeve hibride dhe operacioneve destabilizuese, duke përmendur se efektet e tyre ndihen edhe në Kosovë.
Zëvendëskryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për një Ballkan Perëndimor me bashkëpunim të hapur, të ndershëm dhe të orientuar drejt forcimit të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Në përfundim të diskutimit, ai theksoi se vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit të sinqertë mund të arrihet paqe dhe zhvillim i qëndrueshëm në rajon./lajmi.net/