Ja sa janë televizionet në Kosovë “satelitë” të partive politike (Dokument)

Gjithnjë kritikohen për anime politike nga politikanët dhe subjektet politike. Por, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë analizë të mirëfilltë apo dëshmi për hapësirën që ua japim atyre, sepse nuk janë monitoruar. Është fjala për televizionet tona, për të cilat Indeksonline sjellë një pasqyrë reale të ndarjes së hapësirës mediale për subjektet kryesore politike.

Lajme

16/04/2015 14:15

Nga burime brenda Zyrës së BE-së në Kosovë, e cila sikurse shumica e ambasadave paguan kompani profesionale për t’i monitoruar mediat, Indeksonline ka siguruar raportin tremujor të këtij viti, prej 1 janarit deri më 31 mars 2015, që katër televizionet me frekuenca nacionale, RTK, KTV, RTV21 dhe Klan Kosova ua kanë dhënë subjekteve politike. Këtë raport e marrin në mënyrë të rregullt edhe shumica e ambasadave të huaja në Kosovë, të cilat interesohen për programin e televizioneve dhe mbulimin e aktiviteteve politike prej tyre.

Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në RTK
Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në RTK

 

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) që është i kritikuar për anime politike, gjatë periudhës janar-mars, PDK-së i kishte pasqyruar medialisht 28 aktivitete me tematikë politike, LDK-së 39 aktivitete, Vetëvendosjes 50 aktivitete, AAK’së 43 aktivitete, Nismës 17 aktivitete dhe Listës Serbe 6 aktivitete.

Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në KTV
Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në KTV

 

Në Kohavision (KTV), gjatë kësaj periudhe tremujore, PDK’së i ishin pasqyruar 44 aktivitete politike, LDK-së 45 aktivitete politike, Vetëvendosjes 69 aktivitete politike, AAK’së 33 aktivitete politike, Nismës 13 aktivitete politike dhe Listës Serbe, njëjtë si në RTK, 6 aktivitete politike.

Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në RTV21
Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në RTV21

 

Ndërsa, në Radiotelevizionin 21 (RTV21), PDK-së i ishin pasqyruar 39 aktivitete politike, LDK-së 63 aktivitete politike, Vetëvendosjes 83 aktivitete politike, AAK-së 43 aktivitete politike, Nismës 21 aktivitete politike dhe Listës Serbe 12 aktivitete politike.

Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në Klan Kosova
Mbulimi i aktiviteteve të subjekteve politike në Klan Kosova

 

E në Klan Kosova, PDK-së i janë pasqyruar 45 aktivitete me tematikë politike, LDK-së 65 aktivitete politike, Vetëvendosjes 95 aktivitete politike, AAK-së 48 aktivitete politike, Nismës 13 aktivitete politike dhe Listës Serbe 3 aktivitete politike.

Sipas këtyre të dhënave që i posedojnë edhe shumica e televizioneve në Kosovë, gjatë tremujorit të kaluar Lëvizjes Vetëvendosje i është dhënë më së shumti hapësirë mediale me 297 herë në katër televizionet kryesore të vendit, pas saj vjen LDK-ja me 212 herë, pastaj AAK-ja me 167 herë, PDK-ja me 156 herë, Nisma me 64 herë dhe Lista Serbe me 27 herë.