IS ekzekuton 30 luftëtarë fisnorë sunitë
Grupet militante të Shtetit Islamik (IS) kanë zënë sot 30 meshkuj myslimanë sunitë në një qytet në perëndim të Bagdadit dhe më pas i kanë vrarë të gjithë përnjëherë me armë zjarri, kanë njoftuar zyrtarë irakian.
Bota
Vrasjet kanë ndodhur në rrugën kryesore në rajonin al-Bakir të qytetit Hit.
Kryetari këshillit të provincës Anbar, Sabah Karhou, ka njoftuar se sunitët e vrarë ishin luftëtarë fisnorë, aleatë me qeverinë dhe anëtarët e forcave të sigurisë, transmeton REL.
Ata janë zënë, derisa militantët e IS kanë vazhduar me ofensivën e tyre në qytetin Hit, i cili gjendet rreth 140 kilometra larg kryeqytetit të Irakut.
Banorët kanë treguar se 30 burrat janë detyruar të parakalojnë nëpër qytet, të përcjellë nga militantët, të cilët përmes altoparlantëve i thërrisnin ata “tradhtarë që kanë luftuar kundër IS”, dhe më pas i kanë vrarë.
Qyteti Hit është uzurpuar nga militantët e IS në fillim të këtij muaji, pas një përplasjeje të ashpër që kanë zhvilluar me forcat e qeverisë dhe banorët e kësaj zone.