Intervistime, miliona faqe material, 800 dosje – Dëshmi kundër 12 të akuzuarve për veteranët /Dokument

14:43 | 15 Shtator 2018

Foto nga: Flutura Toplana

Lajmi.net tashmë është duke publikuar pjesë pjesë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të bërë kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Më parë u raportua se për çfarë po akuzohen Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Lexo edhe:

EKSKLUZIVE/ Mbi 900 faqe aktakuzë për 12 të akuzuarit e listave të veteranëve /DOKUMENT  

Gjithashtu u raportua edhe për zonat operative që përfshijnë më së shumti veteranë të rremë, e para printe ajo e Dukagjinit.

Lexo edhe:

Zona e Dukagjinit me afër 8 mijë veteranë të rremë, kështu radhitën zonat tjera /Dokument

Lajmi.net tani sjell llojet e dëshmive që po përdorën kundër 12 të akuzuarve për fryrje të listave të veteranëve. Prokuroria gjatë mbledhjes së fakteve ka intervistuar disa persona, ndër ta Sami Lushtakun, Rrahman Rama, Avdi Rraci, Hysni Ngucati, Spiro Butka, Bujar Shala.

Prokuroria, gjithashtu thotë se posedon audio-incizime dhe dokumentacione nga më të ndryshme që vërtetojnë se të lartpërmendurit kanë abuzuar me detyrën zyrtare.

“Pjesa më e rëndësishme e informacioneve dhe provave të siguruara në kuadër të hetimit dhe zgjerimit të hetimit nën numrin PPS: nr.12/2018, ndërlidhet me rezultatin e gjetjeve të ndryshme nga të gjitha aplikacionet e sekuestruara ( 80.0000 sosh) në  Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pran zyrës se Kryeministrit të Republikës se Kosovës, të cilat aplikacione janë kontrolluardhe pas krahasimit me kërkesat ligjore të parapara sipas ligjit numër 04/L-261, janë gjetur shkelje ligjore tek mijëra aplikacionetë cilat ishin bërë gjatë verifikimit dhe njohjes së statusit te veteranit të UÇK-së, e që sot përfitojnë pension të veteranit luftëtar”, thuhet në aktakuzë.

Ky rast ka qenë mjaftë kompleks dhe sfidues, theksohet mes tjerash aty duke kujtuar se ka pasur miliona faqeve të cilat është dashur të shfletohen dhe lexohen në rreth 800 foldera material dhe dokumente të ndryshme, pa llogaritur veprimet tjera hetimore dhe materialin e siguruar nga këto veprime hetimore.

“Ashtu që pjesa absolute e provave të cilat do të prezantohen në gjykatë, do të jetë në formë elektronike, në CD te ndryshme me emërtime të sakta, sepse administrimi i tyre është tejet i vështirë për shkak të vëllimit të madh të këtyre provave, të cilat kërkojnë edhe hapësirë të madhe.”

Bazuar në rezultatin e provave të mbledhura PSRK-ja vlerëson se me provat e siguruara mund të provohet dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit e lartëcekur me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë konsumuar elementet esenciale të veprës penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konform nenit 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lajmi.net në vazhdim do të sjell dëshmitë e dëshmitarëve dhe autoincizimet në lidhje me rastin në fjalë, ku prokuroria tregon qartë bisedat mes anëtarëve të komisionit, të cilët pranojnë se kanë bërë veteranë pa meritë. /F.TOPLANA /Lajmi.net/