I vazhdohet paraburgimi edhe dy muaj prindërve të 5 vjeçarit në Lipjan që dyshohet se e keqtrajtuan atë
Një rast i rëndë ka ndodhur më 17 mars 2026 në Gadime të Lipjanit. Një fëmijë i moshës pesë vjeçare ishte dërguar në Emergjencën Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze. Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, fëmija në momentin e pranimit…
Lajme
Një rast i rëndë ka ndodhur më 17 mars 2026 në Gadime të Lipjanit.
Një fëmijë i moshës pesë vjeçare ishte dërguar në Emergjencën Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze.
Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, fëmija në momentin e pranimit ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Menjëherë pas pranimit thuhet se janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik për trajtim të mëtejshëm.
Ai më pas i ishte nënshtruar një operacioni, ndërsa dje pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore është liruar dhe është marrë në trajtim nga QPS në Gjakovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte caktuar masën e paraburgimit prindërve të tij që dyshohen ta kenë keqtrajtuar më 18 mars 2026.
Kjo Gjykatë i ka vazhduar masën e paraburgimit prindërve të tij me inicialet A.K dhe V.P edhe për dy muaj, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “shkelja e detyrimeve familjare” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P., të dyshuar për veprat penale Shkelja e detyrimeve familjare dhe Lëndim i lëndë trupor, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit të datës 15.04.2026 ka aprovuar kërkesën e Prokuroisë, ashtu që të njëjtëve iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj për secilin, e cila masë do të llogaritet deri me datë 14.06.2026″, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për lajmi.net.
Në lidhje me këtë rast, janë nisur dyshime për dështim të kryerjes së detyrës së tyre nga institucionet, saktësisht QPS në Lipjan. Në momentin kur ka ndodhur rasti, ministri për Familje Andin Hoti ka urdhëruar Inspektoratin që të kryej kontroll të dokumenteve dhe gjithçka tjetër në QPS në Lipjan, për të parë nëse të njëjtit kanë kryer detyrën e tyre.
E këtë raport, Hoti e ka pranuar sot, i cili ka thënë se QPS ka dështuar të kryej detyrën e tyre.
“Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-të. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, ka thënë Hoti.
E në lidhje me këtë, lajmi.net ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë nëse janë intervistuar zyrtarët e QPS-së pas raportit.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit së provave dhe intervisitimin e palëve, të përfshirë në këtë rast.
Aktualisht, ende nuk është pranuar raporti nga Policia. Për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje, do të njoftoheni me kohë”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. /Lajmi.net/