“Detyrohen të punojnë 12-20 orë pa kompensime” – Përveç FSK-së edhe Njësiti Speciali i Policisë nuk paguhet për orët shtesë
Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po përballen me moskompensim të orëve shtesë të punës dhe kufizim të pushimeve javore, ndonëse nga Qeveria pretendojnë të kundërtën. Burime të Lajmi.net bëjnë të ditur se që nga miratimi i buxhetit, orët shtesë vetëm janë grumbulluar pa u ekzekutuar pagesat, duke lënë të paqartë nëse ato…
Lajme
Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës po përballen me moskompensim të orëve shtesë të punës dhe kufizim të pushimeve javore, ndonëse nga Qeveria pretendojnë të kundërtën.
Burime të Lajmi.net bëjnë të ditur se që nga miratimi i buxhetit, orët shtesë vetëm janë grumbulluar pa u ekzekutuar pagesat, duke lënë të paqartë nëse ato do të kompensohen deri në fund të vitit.
Sipas këtyre burimeve, tash e rreth një muaj e gjysmë, njësi të Policisë së Kosovës janë detyruar të punojnë edhe gjatë fundjavave me orar 12-20 orësh, pa marrë kompensim financiar. Në vend të pagesës, atyre u thuhet se mund të marrin ditë të lira “qarkulluese”, në kohë të papërcaktuar.
Po ashtu, theksohet se për muajin e dytë me radhë, zyrtarët policorë janë angazhuar në punë pa iu kompensuar orët shtesë dhe pa mundur të shfrytëzojnë pushimin javor, me arsyetimin e nevojës për zbatim të planeve operative dhe mbulimit të patrullave. Sipas burimeve, nuk janë paguar as ndërrimet e natës që nga muaji shkurt i këtij viti.
Këto pretendime vijnë në kohën kur deputeti dhe kryetari i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se ushtarëve të FSK-së u paguhen orët shtesë tash e pesë vite dhe se ato nuk kompensohen më me ditë pushimi.
“Ushtarëve të FSK-së i paguhen orët shtesë qe 5 vite, prejse VV ka ardh në pushtet dhe nuk kompenzohen më me “ditë pushimi”, tha Bajqinivoci.
Bajqinovci në Komisionin për Siguri mburrej e krenohej se po dërgohet FSK-ja me mision paqeruajtës në Gaza, mirëpo për pagesa e borxhin që ua ka shteti e Qeveria në të cilën ai vetë bën pjesë, lëshon deklarata të pavërteta.
Në lidhje me këtë problematikë ne kemi raportuar vazhdimisht derisa tani po bëhen gati 4muaj që zyrtarët shtetërorë të lartcekur nuk janë paguar për orët shtesë, borxh ky i mbledhur në Qeverinë e Kosovës.
Çështja e moskompensimit të orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe shtesave për rrezikshmëri ka qenë e përsëritur për Policinë e Kosovës, veçanërisht pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë përmendur vazhdimisht kufizimet buxhetore si arsye për këto mospagesa./Lajmi.net/