I nominuari për ambasador në Shqipëri: Luftimi i krimit forcon sigurinë e ShBA-së dhe Shqipërisë
Radio Evropa e Lirë – I nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, tha se, nëse konfirmohet në këtë post, prioritetet e tij kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së. Wendt i bëri këto deklarata më 20 maj, gjatë paraqitjes së tij para Komitetit për…
Lajme
Radio Evropa e Lirë – I nominuari për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, tha se, nëse konfirmohet në këtë post, prioritetet e tij kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së.
Wendt i bëri këto deklarata më 20 maj, gjatë paraqitjes së tij para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, në kuadër të procesit të konfirmimit për postin e ambasadorit në Tiranë.
Ai tha se, nëse konfirmohet, do të punojë në katër drejtime kryesore, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen, ekonominë dhe funksionimin e Ambasadës amerikane në Shqipëri.
“Mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar transnacional dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine, do t’i bëjnë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, tha Wendt.
Ai theksoi gjithashtu se do të punojë për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e zotimeve të saj në kuadër të NATO-s, përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të bruto prodhimit vendor deri në vitin 2035.
Wendt përmendi edhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike amerikane dhe shqiptare, si dhe nisma të mundshme të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.
Në aspektin ekonomik, ai tha se do të fokusohet në nxitjen e prosperitetit amerikan, duke shtuar se kjo do të sillte përfitime edhe për Shqipërinë.
Sipas tij, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të përballen me “kushte të barabarta kontraktuale dhe ligjore” në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura, minierat dhe fusha të tjera ekonomike.
Wendt foli edhe për përvojën e tij me trupat shqiptare, duke kujtuar se, si komandant i Forcave të Operacioneve Speciale të NATO-s, kishte pasur nën komandë edhe pjesëtarë të Forcave Speciale të Shqipërisë.
Ai tha se kishte punuar me ta në terren në Shqipëri, ndërsa në Afganistan kishte shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupa shqiptare.
“Kam parë se pjesëtarët e Forcave Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar, Skënderbeut, dhe se populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, tha Wendt.
Paraprakisht gjatë seancës, kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, James Risch, tha se partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë është forcuar ndjeshëm në vitet e fundit, duke e cilësuar Shqipërinë si aleate të rëndësishme të NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në përballjen me ndikimin rus në rajon.
Edhe senatorja Jeanne Shaheen tha se Shqipëria është një nga partneret më të afërta të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe aleate e NATO-s, duke theksuar se ajo ka qëndruar pranë SHBA-së “në shumë mënyra”, përfshirë edhe mbështetjen për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë.
“Nëse konfirmoheni, ju do të jeni ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas tre vjetësh, në një moment të rëndësishëm për rajonin. Udhëheqja diplomatike ka rëndësi”, tha Shaheen.
Wendt u propozua nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të drejtuar misionin diplomatik amerikan në Tiranë.
Pas seancës dëgjimore, nominimi i tij duhet të votohet në komitet dhe më pas të marrë miratimin përfundimtar nga Senati.
Aktualisht, SHBA-ja nuk ka ambasador me mandat të plotë në Shqipëri.
Nancy VanHorn shërben si e ngarkuar me punë që nga viti 2024.
Kush është Wendt?
Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.
Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.
Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka qenë koordinator i Sigurisë i SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez në periudhën 2017–2019, si dhe shef i Shtabit në Komandën e Paqësorit të SHBA-së.
Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare Detare.