I dërguari i Trump për Ukrainën arrin në Kiev për ‘të dëgjuar’ dhe biseduar me Zelenskyn
Keith Kellogg, i dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën, arriti në Kiev të mërkurën për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelenskiy dhe për të “dëgjuar”, ndërsa lufta kundër Rusisë i afrohet trevjetorit të saj. Vizita e Kellogg vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u takuan në Riad për bisedime…

Bota
Keith Kellogg, i dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Ukrainën, arriti në Kiev të mërkurën për t’u takuar me Presidentin Volodymyr Zelenskiy dhe për të “dëgjuar”, ndërsa lufta kundër Rusisë i afrohet trevjetorit të saj.
Vizita e Kellogg vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u takuan në Riad për bisedime mbi përfundimin e luftës, pa Ukrainën.
“Do të na japë një shans për të pasë bisedime të mira”, tha Kellogg, duke shtuar se bisedimet do të bazohen në bisedat e fundjavës në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
“Ne e kuptojmë nevojën për garanci sigurie”, u tha Kellogg gazetarëve, duke thënë se pjesë e misionit të tij do të ishte “të ulet dhe të dëgjojë”.
Ukraina ka theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për garanci sigurie nga SHBA-ja që do ta pengonin Rusinë nga nisja e një pushtimi të ri pasi të arrihet një marrëveshje paqeje.
Kellogg tha se ai do të ndajë këto biseda me Trump dhe pjesën tjetër të ekipit.
Zelensky shtyu një vizitë në Arabinë Saudite të planifikuar për të mërkurën në mënyrë që të mos i jepte “legjitimitet” takimit të së martës midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Riad, thanë më parë dy burime për Reuters, transmeton Gazeta Express.
Trump hodhi poshtë shqetësimet e Ukrainës se mund të mbesë jashtë bisedimeve SHBA-Rusi për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke thënë se Kievi mund të kishte bërë një marrëveshje me Rusinë më herët.