I akuzuari për fajde, në lidhje biznesore me nënkryetarin e Prishtinës

Rrahim Hashimi, i akuzuar për fajde, mashtrim dhe detyrim është shfaqur i afërt me politikanët në Kosovë. Ai u arrestua dy ditë më parë bashkë me Ismet Osmanin i njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaçi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku, por u lirua më pas për shkak të vjetërsisë së veprës penale.

Lajme

23/05/2019 16:49

Selim Pacolli i AKR-së, vëllai i njërit prej shqiptarëve më të pasur në botë, Behgjet Pacollit, i cili është krahu i djathtë i Shpend Ahmetit si zëvendës i tij, është në lidhje biznesore me Rrahim Hashimin.

Selim Pacolli është një sipërmarrës i dalluar në Kosovë, veprimtaria e të cilit shtrihet edhe në nivel ndërkombëtarë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, Pacolli është aksionar në biznes me bashkëshorten e Rrahimit, Lirie Hashimi shkruan lajmi.net.

Fillimisht, kompaninë  “Ilyrian Power”, e cila merret me derivate të naftës, Pacolli e kishte hapur me Rrahim Hashimin dhe vetëm ata të dy ishin hisedar, por më pas Hashimi e kishte autorizuar gruan si aksionare tek ky biznes.

 

Bashkimi i disa biznesmenëve kishte bërë që të formonin një kompani të fuqishme me aktivitete të ndryshme të quajtur “City –Group”, e që zyra ishte hapur në Hotelin Grand. Në këtë biznes, Selim Pacolli ka qenë ortak bashkë me pesë person tjerë, drejtor i të cilës ka qenë Rrahim Hashimi. Por, aktualisht si aksionar i vetëm shihet që është veç Rrahim Hashimi.

Sipas ARBK-së, nënkryetari i OVLT të UÇK, Nasim Haradinaj, i cili është edhe drejtor në komunën e Deçanit nga radhët e AAK-së, shihet që është në lidhje banesore me Rrahim Hashimin. Biznesi i cili nuk dihet nëse vepron akoma, është hapur në vitin 2009 dhe po sipas faqes se ARBK-së është akoma aktiv. Biznesi i cili për aktivitet kryesore ka aktivitete e këshillimit biznesore quhet “West Investigation &Advisory” LLC.

Megjithëkëtë, Haradinaj në deklarimin e pasurisë që e ka publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk ka deklaruar se ka aksione në ndonjë kompani.

Rrahim Hashimi ishte njeri nga të arrestuarit për fajde, mashtrim dhe detyrim, dhe me vendimin e Gjykatës u lirua të martën.

Arsyeja e lirimit të tij është vjetërsimi i veprës penale e cila pretendohet se është kryer në vitin 2012.

Rrahim Hashimi u arrestua bashkë me Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, dhe tre të dyshuarit e tjerë Adil Thaqi, Mentor Maqani dhe Ilir Bojku.

Hashimi dyshohet se gjatë vitit 2012 bashkë me Ekrem Likën nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut fajde në vlerë prej 350 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj.

Sipas Prokurorisë, shuma të cilën Dalladaku detyrohej të paguante në emër të fajdesë ishte rreth 25 mijë euro në muaj.

Hashimi është ish-i akuzuari për rastin e “Sekserëve”, bashkë me Emin Beqirin, ish-shefi i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike. Ditë më parë, ai i ashpër ishte parë të jetë me deputeten e PDK-së, Flora Brovina, për shkak të një fotografie të publikuar nga kjo e fundit, e që më vonë u kuptua të jetë e manipuluar. Madje Hashimi, përmes llogarisë së tij në Facebook, për këtë rast kishte bërë edhe disa paralajmërime për kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezin. /Lajmi.net/