Hoxha: Ftesa për marshin për liri u është dërguar të gjithë krerëve institucionalë e partiakë
Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar të gjithë krerët institucionalë dhe partiakë që t’i bashkohen marshit të madh për liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në përkrahje të çlirimtarëve të Kosovës, në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale. Këtë e ka konfirmua, Eliza Hoxha, organizatore e platformës, por tha…
Lajme
Platforma “Liria ka Emër” ka ftuar të gjithë krerët institucionalë dhe partiakë që t’i bashkohen marshit të madh për liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në përkrahje të çlirimtarëve të Kosovës, në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale.
Këtë e ka konfirmua, Eliza Hoxha, organizatore e platformës, por tha se deri tash nuk kanë marrë konfirmime nga të gjithë për pjesëmarrje.
”Ne i kemi ftuar të gjithë sikur në çdo marsh. Ftesa ka qenë publike, por u ka shkuar edhe të gjitha institucioneve dhe krerëve institucionalë e partiakë, të gjithëve me email, me mundësinë që të vijnë në marsh dhe mund të adresohen nëse dëshirojnë”, ka thënë Hoxha në KlanKosova.
Ajo ka bërë të ditur se Bedri Hamza dhe Ardian Gjini e kanë konfirmuar pjesëmarrjen si folës në marsh. Po ashtu, sipas saj, do të adresohen edhe vajza e dëshmorit Bajram Selmani, vajza e Salih Mustafës-Calit, Buna dhe Hysni Gucati nga organizatat e dala nga lufta.
Hoxha ka njoftuar se në kuadër të aktivitetit do të ketë edhe pika muzikore, me këngë lirike nga Arif Vladi, Shkurte Fejza dhe Arbnora, e cila është pjesë e platformës “Liria ka Emër”.
Ajo ka theksuar se gjithë përfshirja mbetet një nga parimet kryesore të organizimit, duke thënë se ftesa u është dërguar të gjithë përfaqësuesve politikë me qëllim që në marsh të përfaqësohen kategori të ndryshme shoqërore.
”Koncepti i gjithë përfshirjes është i rëndësishëm. Kemi qenë të hapur dhe gjithmonë u kemi dërguar të gjithëve ftesë. Ideja është që altoparlanti të rritet e të përfaqësohemi aty të gjithë në marsh me kategoritë e ndryshme shoqërore”, ka deklaruar Hoxha.