Hoti akuzon LVV-në për tri shkelje kushtetuese: Opozita duhet të veprojë për mbrojtjen e rendit kushtetues
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç ka thënë ai, tri shkelje kushtetuese që po ndodhin ende pa nisur mandati i ri i institucioneve. Përmes një postimi publik, Hoti ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, i thirrur për nesër në orën 11:00, është jashtë afatit…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç ka thënë ai, tri shkelje kushtetuese që po ndodhin ende pa nisur mandati i ri i institucioneve.
Përmes një postimi publik, Hoti ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, i thirrur për nesër në orën 11:00, është jashtë afatit kushtetues 30-ditor dhe përbën shkelje të Kushtetutës nga kryesuesi i seancës.
Sipas tij, shkelja e dytë lidhet me faktin se Grupi më i madh parlamentar, ai i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka bërë propozimin për kryetar të Kuvendit as në seancën e djeshme dhe as sot, brenda afatit kushtetues.
Hoti ka pretenduar se shkelja e tretë ka të bëjë me mbajtjen e pozitave qeveritare nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tjerë, edhe pas dhënies së betimit si deputetë, duke vlerësuar se kjo bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin.
Ai ka bërë thirrje që opozita të përdorë të gjitha mekanizmat kushtetues dhe ligjorë për të ndalur, sipas tij, këto shkelje dhe për të kërkuar përgjegjësi nga autorët.
“Përballë këtij sulmi të hapur ndaj rendit kushtetues, opozita duhet pa asnjë hezitim të shfrytëzojë çdo mekanizëm kushtetues dhe ligjor për t’i ndalur këto shkelje dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët e tyre. Mbrojtja e Kushtetutës nuk është zgjedhje politike, por detyrim ndaj Republikës dhe qytetarëve që na besuan”, përfundoi Hoti./Lajmi.net/