AAK kërkon seancë të jashtëzakonshme sonte në 22:30 për konstituimin e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij, në koordinim edhe me grupet e tjera parlamentare, ka kërkuar që Kuvendi të mbajë sonte një seancë të jashtëzakonshme konstituive. Në një konferencë për media, Tahiri tha se kërkesa është që seanca të thirret në ora 22:30, me qëllim që deputetët…

Lajme

07/08/2026 20:07

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij, në koordinim edhe me grupet e tjera parlamentare, ka kërkuar që Kuvendi të mbajë sonte një seancë të jashtëzakonshme konstituive.

Në një konferencë për media, Tahiri tha se kërkesa është që seanca të thirret në ora 22:30, me qëllim që deputetët e zgjedhur dhe të betuar të mblidhen dhe të kërkojnë vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Si grup parlamentar, në diskutim edhe me grupet e tjera parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme e cila duhet të thirret sonte në ora 22:30. Ne, me autorizimin tonë si deputetë të zgjedhur dhe të betuar në Kuvend, të mblidhemi dhe t’i kërkojmë kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë procesin”, tha Tahiri.

Aktualisht, seanca konstituive është caktuar të mbahet nesër në ora 11:00, ndërsa sonte përfundon afati kushtetues për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit./Lajmi.net/