Këshilltarja e Presidentes kritikon LVV-në: Po e përdorin Vjosa Osmanin vetëm për të legjitimuar kandidaturën e Glauk Konjufcës

Learta Hollaj nga zyra e Presidentes ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje në procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se institucionet e shtetit nuk mund të përdoren si mjet politik. Në një postim, Hollaj ka theksuar se kjo nuk është çështje e thjeshtë aritmetike apo proceduriale, por një temë që prek thelbin…

Lajme

04/03/2026 20:45

Learta Hollaj nga zyra e Presidentes ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje në procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se institucionet e shtetit nuk mund të përdoren si mjet politik.

Në një postim, Hollaj ka theksuar se kjo nuk është çështje e thjeshtë aritmetike apo proceduriale, por një temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues, raporton lajmi.net

Ajo shton se veprimet e tilla duhet të trajtohen me maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, jo përmes kalkulimeve të ulëta politike.

“Nëse dikujt i thoni eja vetëm sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, vetëm për numër, dhe pastaj fajësojmë opozitën për zgjedhje, a ka më turp? Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por i keni kërkuar të bëhet formalitet e numër për manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!” ka shkruar Hollaj.

Postimi i plotë:

Zonja Arbërie Nagavci,
Besohet se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi qytetar e shtetëror. Kjo nuk është çështje e thjeshtë e aritmetikës procedurale apo administrative, por temë që prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues.
Prandaj, qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta.
Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla.
Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!/Lajmi.net/