“Heshtja dhe mosndëshkueshmëria po i afrohen fundit” – Gërvalla deklarohet për dënimin e Dejan Raciq me 15 vjet burg për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, përshëndeti vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi Dejan Raciq me 15 vjet burg për krime lufte, konkretisht për “krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”. Ajo vuri në dukje se ky është rasti i katërt që drejtësia vendase ndëshkon autorët e këtyre krimeve, duke…

Lajme

26/03/2026 21:13

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, përshëndeti vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi Dejan Raciq me 15 vjet burg për krime lufte, konkretisht për “krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

Ajo vuri në dukje se ky është rasti i katërt që drejtësia vendase ndëshkon autorët e këtyre krimeve, duke treguar se “heshtja dhe mosndëshkueshmëria dalëngadalë po i afrohen fundit”, transmeton lajmi.net.

Gërvalla falënderoi veçanërisht QKRMT-në për “mbështetjen e palëkundur ndaj të mbijetuarve gjatë gjithë procesit gjyqësor”, si dhe të gjitha organizatat dhe aktivistët që çdo ditë “angazhohen për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Ministrja theksoi se është për t’u admiruar “qëndrimi dinjitoz i heroinave tona, të mbijetuarave, të cilat përsëri po dëshmojnë integritet dhe guxim të pashoq, duke u ballafaquar, tashmë në sallë të gjyqit, me ata që kryen krime të papërshkrueshme ndaj tyre”.

Ato, sipas saj, “meritojnë respektin dhe mbështetjen edhe më të fortë e më të gjerë të institucioneve dhe të shoqërisë sonë”.

Postimi i plotë: 

Drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Dejan Raciq, sot u dënua me 15 vjet burg për krime lufte, konkretisht krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ky është rasti i katërt që drejtësia vendase ndëshkon autorët e këtyre krimeve, duke treguar se heshtja dhe mosndëshkueshmëria dalëngadalë po i afrohen fundit.
Rruga mbetet e gjatë, po në fund, drejtësia dhe e vërteta gjithmonë fitojnë.
Falënderim i veçantë edhe QKRMT-së për mbështetjen e palëkundur ndaj të mbijetuarve gjatë gjithë procesit gjyqësor. Duke falënderuar këtë organizatë, falënderojmë edhe të gjitha organizatat dhe aktivistët që çdo ditë, me një angazhim të jashtëzakonshëm dhe vetëmohues, angazhohen për të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Është për t’u admiruar qëndrimi dinjitoz i heroinave tona, të mbijetuarave, të cilat përsëri po dëshmojnë integritet dhe guxim të pashoq, duke u ballafaquar, tashmë në sallë të gjyqit, me ata që kryen krime të papërshkrueshme ndaj tyre. Këto gra dhe këta burra meritojnë respektin dhe mbështetjen edhe më të fortë e më të gjerë të institucioneve dhe të shoqërisë sonë./lajmi.net/