Haxhiut vazhdon t’i djegë që s’u votua për kryeparlamentare: PDK dhe LDK në një linjë me Listën Serbe – për mua, kur votonin kundër, e çonin dorën lart e më lart

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të partive opozitare në procesin e konstituimit të Kuvendit, veçanërisht për mungesën e konsensusit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb. Duke folur për situatën aktuale, Haxhiu tha se mungesa e votës për Nenad Rashiqin nga opozita po…

Lajme

30/08/2025 10:43

Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të partive opozitare në procesin e konstituimit të Kuvendit, veçanërisht për mungesën e konsensusit për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Duke folur për situatën aktuale, Haxhiu tha se mungesa e votës për Nenad Rashiqin nga opozita po e bllokon procesin, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar të shkojë në zgjedhje, por të përmbyllë konstituimin dhe të votojë qeverinë, transmeton lajmi.net.

“Ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje, ne jemi të interesuar që të konstituohet Kuvendi, të votohet qeveria. Por, ja që opozita po e pengon këtë. Prandaj, është në dorën e tyre,” deklaroi Haxhiu.

Ajo kritikoi ashpër Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke i akuzuar se po veprojnë “në një linjë me Listën Serbe” përmes abstenimit të tyre në votimin për Rashiqin.

“Për mua ka qenë e papranueshme që të shoh disa që e ngrisin dorën lart e më lart, kur ishte fjala për mua, që votonin kundër meje, por për Listën Serbe abstenojnë. Kjo nuk ka logjikë, kjo është e papranueshme,” u shpreh Haxhiu, duke kujtuar se kishte dështuar të zgjidhej kryetare e Kuvendit përballë kandidatit të pavarur Dimal Basha, që mori mbështetjen vendimtare të opozitës.

Sipas Haxhiut, nëse edhe në këtë seancë nuk zgjidhet nënkryetari serb përmes shortit, nuk ka më arsye të pritet 48 orë për një tjetër votim, pasi kjo bllokadë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ajo u bëri thirrje së paku AAK-së dhe Nismës që të mos ndjekin të njëjtën linjë si PDK dhe LDK./lajmi.net/