Haxhiu: Pasuria që nuk mund të justifikohet do të konfiskohet, ajo që është vjedhur nga shteti do t’i kthehet shtetit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas miratimit përfundimtar të ligjit që i hap rrugë krijimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Përmes një postimi, Haxhiu ka thënë se miratimi i këtij ligji vjen pas shumë pengesave dhe vonesave ndër vite, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas miratimit përfundimtar të ligjit që i hap rrugë krijimit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përmes një postimi, Haxhiu ka thënë se miratimi i këtij ligji vjen pas shumë pengesave dhe vonesave ndër vite, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit kërkon vendosmëri.
Ajo ka theksuar se askush nuk duhet të fshihet pas pozitës, pushtetit apo ndikimit politik për t’iu shmangur përgjegjësisë për pasurinë e fituar gjatë ushtrimit të detyrës.
“Pasuria që nuk mund të justifikohet do të konfiskohet. Ajo që është vjedhur nga shteti do t’i kthehet shtetit”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka bërë të ditur se pas miratimit të ligjit, hapi i radhës është ngritja e Byrosë dhe funksionalizimi i saj, me qëllim që të jetë profesionale dhe e paanshme.
Në fund, Haxhiu ka falënderuar deputetët që e mbështetën ligjin dhe kontribuuan në përmbylljen e këtij procesi. /Lajmi.net/