IPK zbulon dështime në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt: Urdhri mbrojtës nuk u ekzekutua, i dyti u vonua gjashtë ditë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka angazhuar një ekip hetuesish dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj. Këto veprime IPK ka njoftuar se po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit me qëllim shqyrtimin e…

Lajme

29/10/2026 16:44

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka angazhuar një ekip hetuesish dhe ka vazhduar të ndërmarrë veprime hetimore dhe verifikuese lidhur me mënyrën e trajtimit nga Policia e Kosovës të rasteve të raportuara nga e ndjera Arlinda Zekaj.

Këto veprime IPK ka njoftuar se po ndërmerren me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit me qëllim shqyrtimin e plotë të veprimeve dhe procedurave të ndjekura nga zyrtarët policorë gjatë trajtimit të raportimeve të saj.

Bazuar në veprimet hetimore preliminare  deri në këtë fazë të gjeturat nga Inspektorati Policor i Kosovës janë:

·      Nga Policia e Kosovës nuk dokumentohet që është ekzekutuar urdhri mbrojtës C.11r.1300/26 i datës 7 shtator 2026;

•  Urdhri i dytë  mbrojtës  i datës 16  tetor 2026 është ekzekutuar me 6 ditë vonesë  më 22 tetor 2026, dhe atë  pas ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga IPK e cila kishte pranuar fillimisht një informatë nga ankuesja – znj.Zekaj ;

•  Mos trajtimi nga zinxhiri komandues i shkresës/emailit të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga hetuesi policor i cili   kërkon  vlerësim  të  rastit   dhe  asistence në kapacitete.  Hetuesi kishte vlerësuar  që  gjatë  kohës   që  znj. Arlinda  Zekaj  ndodhej  në  shtëpi,  të  vizitohej nga  patrulla  të uniformuara policore dhe komunikim të  shtuar me të, me qëllim  të evidentimit të situatës brenda shtëpisë;

•  Dështim i  zinxhirit përgjegjës   komandues  në  trajtimin   e  rastit   të  dhunës  në  familje, vlerësimit të nivelit  të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente duke  përfshirë:  Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin policor në Vitomiricë dhe njësitë e hetimeve nga niveli rajonal dhe në nivel stacioni.

Bazuar në të gjeturat deri më tani nga veprimet e ndërmarra hetimore, IPK i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e 11 zyrtarëve të cilët bazuar në këtë rekomandim kanë suspenduar:

·         U.D/drejtorin Rajonal në DRP-Pejë,

·         Shefin e Hetimeve Rajonale DRP – Pejë,

·         Komandantin e Stacionit Policor – Pejë,

·         Z.V/komandantin e Stacionit Policor – Pejë,

·         Shefin e Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor –Pejë,

·         U.D/Shefin e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor – Pejë,

·         Komandantin e Nënstacionit Vitomiricë dhe

·         4 (katër)  hetues policorë të Stacionit Policor – Pejë.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar që në koordinim me institucionet kompetente të drejtësisë, të sigurojë trajtim profesional, të paanshëm dhe të gjithanshëm të kësaj çështjeje, duke respektuar ligjshmërinë, prezumimin e pafajësisë dhe integritetin e procesit hetimor”, ka njoftuar IPK. /Lajmi.net/