Haxhiu: Kuvendi është konstituuar, nënkryetari nga PDK-ja do të zgjidhet kur të propozohet

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendi tashmë konsiderohet i konstituuar, pas zgjedhjes së katër nga pesë nënkryetarëve të legjislativit. Haxhiu ka thënë se pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së ka mbetur e paplotësuar, pasi deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në seancën konstituive. Sipas saj, kjo pozitë i…

Lajme

13/09/2026 11:54

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kuvendi tashmë konsiderohet i konstituuar, pas zgjedhjes së katër nga pesë nënkryetarëve të legjislativit.

Haxhiu ka thënë se pozita e nënkryetarit nga radhët e PDK-së ka mbetur e paplotësuar, pasi deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në seancën konstituive.

Sipas saj, kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për këtë parti, ndërsa Kuvendi është i gatshëm ta votojë kandidatin sapo PDK-ja ta propozojë atë.

“Për tri herë radhazi, përfaqësuesit e PDK-së nuk ishin të pranishëm në seancën konstituive dhe, rrjedhimisht, nuk e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese për ta propozuar kandidatin. Kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të. Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale, duke theksuar nevojën që institucionet të funksionojnë dhe procesi i funksionalizimit të tyre të vazhdojë pa vonesa.

“Institucionet duhet të funksionojnë. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë. Vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe procesi i funksionalizimit të plotë të institucioneve duhet të vazhdojë pa vonesa të panevojshme”, ka thënë Haxhiu. /Lajmi.net/