Haradinaj: Nuk jam kandidat për president, s’kam nisur as mbledhjen e nënshkrimeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk është kandidat për postin e presidentit të vendit. Gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haradinaj theksoi se nuk ka ndërmarrë asnjë hap formal për shpalljen e kandidaturës, duke sqaruar se nuk ka nisur as mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme, transmeton…

Lajme

26/02/2026 21:17

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk është kandidat për postin e presidentit të vendit.

Gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haradinaj theksoi se nuk ka ndërmarrë asnjë hap formal për shpalljen e kandidaturës, duke sqaruar se nuk ka nisur as mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme, transmeton lajmi.net.

Ai bëri të ditur se ka zhvilluar takime me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun për të diskutuar çështjen e presidentit, por sipas tij, nuk është arritur një qëndrim i përbashkët.

Duke folur për mungesën e një ftese nga kryeministri Albin Kurti për konsultime rreth zgjedhjes së presidentit, Haradinaj konfirmoi se prej një kohe të gjatë nuk ka pasur asnjë komunikim me të.

Murat Jashari dje i dha fund spekulimeve se do të jetë kandidat për president

Murat Jashari, nga familja legjendare Jashari, i dha fund spekulimeve dje se do të jetë kandidat për president.

Ai për “Vox Kosova” dje e ka mohuar. Ai tha se Familja Jashari i takon të gjithë shqiptarëve.

“Në momente të caktume do ta jap një prononcim. Më shumë se gjithçka si Murat, është emri i Familjes Jashari. Është barrë e madhe mbi supe, dhe unë nuk e kam të drejtën as morale as profesionale emrin e familjes Jashari për poste publike. Unë kam detyrë…prandaj edhe skam dal mu prononcu. Emri i im sa i përket kësaj çështje vjen në vazhdimësi, është përmend saherë që ka ardh në pikëpyetje presidenti. E kam sqaru që s’kam ambicie politike. Familja Jashari ju takon të gjithë shqiptarëve…në mes të qenurit në pozita publike dhe profesionit që kam, unë zgjedh këtë që kam…runa zot naj lufte civile apo rreziku të madh kombëtar ku cenohet bërthama e kombit tonë, atëherë kush jam une mos me sakrifiku për këtë vend. Ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, tha ai.

Glauk Konjufca e hodhi poshtë mundësinë se do të jetë kandidat për president 

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca dje ka deklaruar se kanë vendosur që të mos e propozojnë ndonjë emër të përveçëm për president.

Konjufca ka thënë se këtë e kanë vendosur që të mos e mbështesin për muri opozitën.

“Sa i përket presidentit e keni të qartë që Kushtetuta qëllimisht e ka bërë një dallim të rëndësishëm mes mënyrës së zgjedhjes edhe qeverisë. Qeveria zgjedhet me mazhorancë e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës, mjaftojnë 61 deputetë. Por, te presidenti, dallon kjo. Ideja ka qenë që kjo mazhorancë e thjeshtë mos me pas garanci që vet e zgjedhë presidentin. Me qenë një lloj bashkëpunimi edhe me forca të tjera politike. Kësaj radhe nuk po flas me emra të partive, nuk është vendi këtu, po flas me koncepte të mazhorancës. Ajo mazhorancë prej 66 numrave, ne jemi bindur që nuk ka mundësi përmes një emri që propozohet i njëanshëm, ta marrim edhe votën e garantume të opozitës për me i bo 80 vota. Ky është konstatimi i mazhorancës. Nuk po them se është absolut, gjëra absolute në politikë nuk ka. Me përafërsi, ky është konkludimi. Përmes një emri të përveçëm mos me mbështetë për muri opozitën, ky është dhe këtë duhet ta votoni. Nuk është shtruar në këtë kontekst. Po ta kishte qasjen mazhoranca për president të VV-së, është ajo që po duam me shmang, është me vendos opozitën para aktit të kryer. Ky nuk është qëllimi”, tha Konjufca.

Vjosa Osmani po e do edhe një mandat, por s’po e ka përkrahjen e VV-së

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani në intervistat e mëparshme ka shprehur gatishmërin që ta marr edhe një mandat si presidente e vendit.

Mirëpo, deri më tani, ajo nuk ka arritur të siguroj 30 nënshkrimet e kërkuara. Lëvizja Vetëvendosje që e kishte bërë presidente në mandatin e parë, nuk ka dhënë ende pëlqim publik për kandidaturën e saj.

Partitë tjera po ashtu nuk kanë dhënë një “PO” për kandidimin e Osmanit. /lajmi.net/