Haradinaj: Dikush po ua shpërlan trurin djemve tanë e po i çon në Siri
Pasi ka dështuar t’i bëjë bashkë dy partitë tjera opozitare për ta rërzuar qeverinë e Hashim Thacit në Kuvend, ka tri ditë që AAK ka nisur një formë tjetër të presionit- me peticion të qytetarëve. Si hap të tretë, Haradinaj nuk përjashton protestat në rrugë.
Lajme
E plotësuar, 21:55
Kur është pyetur rreth deklaratave të tij për grupet radikale fetare, të cilët më parë i kishte quajtur “flliqana”, Haradinaj ka thënë se nuk zmbrapset nga to që ka thënë.
“Ne në Kosovë duke bërë tolerancë duke mos pasur qëndrime të qarta po krijojmë konfuzion. Realisht qëndrimi im është i pastër, e respektoj islamin autokton, traditën fetare, institucionet fetare i respektoj, por për lëvizjet ekstremiste, lëvizjet e dhunshme radikale që paraqesin rrezik për prestigjin e këtij vendi kuptohet që jam kundër tyre”.
“Fakti që po çojmë djem në Siri me u vra, dikush po i çon ata atje. Kjo nuk nënkupton që nuk kemi asnjë problem me identitetin tonë”.
“Nuk mundet dikush të më imponojë norma mua ta pengojë jetën e njerëzve vendit tim. Do të jem kundër që dikush të punojë që djemtë tanë t’i çojë të luftojnë në skaj të botës”.
“Dikush po ua shpërlan trurin djemve tanë, për interesa. Njëra prej pozicioneve politike që kam marrë është ky”.
“Unë respektoj çdo njeri që beson në fe, e do me zemër. Unë po e shoh një manipulim, kjo shoqëri nuk është jetime, këta njerëz nuk janë jetimë, nuk munden ata të na tjetërsojnë”.
“Ky është shpjegimi, jo që e kam thënë të nxituar as që s’e kam menduar mirë. E kam me bindje që në Kosovë nuk ka vend për ata që po mbjellin bindje ekstreme”, ka thënë Haradinaj në emisionin Rubikon të KTV’së.
—
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk i përjashton protestat kundër Qeverisë aktuale të vendit, në përpjekjet e tij për t’ia ndërprerë asaj mandatin.
Pasi ka dështuar t’i bëjë bashkë dy partitë tjera opozitare për ta rërzuar qeverinë e Hashim Thacit me anë të votave të deputetëve, ka tri ditë që AAK ka nisur një formë tjetër të presionit- me anë të një peticioni të qytetarëve.
Si hap të tretë, Haradinaj nuk përjashton protestat në rrugë.
“Në rast se ndëshkohet qeverisja aktuale, krijohet njëfarë standardi që nuk mund të shpëtosh i pandëshkuar”.
“Nuk mundem unë vetëm ta bëj ndryshimin dhe këtë nuk mund ta bëjë askush i vetëm”.
“Ende nuk kemi dalë në protesta. Nuk di si do të shkojnë zhvillimet”, ka thënë Haradinaj në një intervistë në emisionin Rubikon në KTV.
“Një qeveri e shkarkuar do të ishte më mirë për Kosovën”.
Edhe një herë, Haradinaj ka përjashtuar mundësinë që AAK të hyjë në koalicion me PDK’në.
“Nuk synojmë koalicion me PDK. Nuk bëjmë koalicion me PDK. PDK gjatë qeverisjes, i ka bërë dëm vendit. Epilogu më i drejtë është që ajo të shkojë në opozitë. E ardhmja duhet të jetë e atyre që janë të gatshëm për ndryshime thelbësore e jo sipërfaqësore”.
“Qytetarët nuk do t’i tolerojnë të ardhshmit sic i kanë toleruar të tashmit”, ka thënë ai.
“Nuk e planifikoj një partneritet me AKR’në. Kosova ka nevojë për një shkollë qeverisëse të re. Do të ishte më mirë që Kosova të filloj një nisje të re”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për rritjen e paralajmëruar të pagave nga Kryeministri i Kosovws, Hashim Thaci.
“Në BE mesatarja e pagës për afërsisht është 1 mijë euro, a mundet Kosova ta arrijë këtë pagë. Cili është veprimi që duhet ta ndërmarrë Kosova për të arritur këtë pagë.
“Rritja e pagave është ofenduese, në prag të zgjedhjeve i mban në stres qytetarët, a do të ndodhë apo jo. Kjo trajtim me njerëzit është ofendues. Pse duhet të presin qytetarët e vendit 4 vjet për t’i rritur pagat.
“Në kalkulimin tonë rritja e pagave është në dobi, por plani për rritjen e pagave duhet të jetë i vazhdueshëm”.
“Jo vetëm që e ka stagnuar Kosovën z. Thaçi por i ka shkaktuar edhe humbje. Nëse flasim për korrupsionin ju e dini si është gjendja në shoqërinë tonë. Korrupsioni supozohet se është bërë institucional e diçka standard”, ka thënë ai.