Hamann: Liverpool favoritët për titull, Man City nuk mund të përmirësohen më shumë

Dietmar Hamann ka dhënë mendimet e tij mbi favoritin e Premierligës për titullin kampion.

Sport

19/09/2020 17:00

Manchester City dhe Liverpool shihen edhe këtë edicion si dy skuadrat më të mira në Premierligë, sa i përket titullit të kampionit.

Lidhur me titullin, Dietmar Hamman sheh se skuadra e Liverpool është përsëri favorite, me arsyetimin se Manchester City ka arritur pikën më të lartë nën Pep Guardiolan dhe nuk mund të përmirësohet më shumë.

“Nuk mund të shoh përtej Liverpoolit për titullin”, ka thënë Hamann, transmeton lajmi.net.

“Edhe pse ishte ndryshe pas rifillimit, ata ishin 18 pikë larg City në atë kohë. Problemi me Guardiolan është se ai qëndron te klubet jo për më shumë se tri vite”, ka shtuar ish mesfushori.

“Më kujtohet në Mynih, lojtarët thanë se pas tri viteve ata ishin të lodhur sepse ai kërkon shumë nga ta. Mendoj se skuadra e Guardiolas prek majën pas dy ose tri viteve, maksimum. Ai ka qenë te City për katër vite tashmë, kështu që nuk shoh se do të ketë përmirësime”, ishin fjalët e Hamman.

Liverpool e ka nisur sezonin e ri me fitore, kurse Manchester City është në pritje për të luajtur ndeshjen e parë. /Lajmi.net/