Guvernatori i BQK-së takohet me drejtoreshën rajonale të IFC-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga delegacioni i BQK-së, zhvilloi një takim me Ines Rocha, drejtoreshë rajonale për Evropë në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore. Gjatë takimit, Ismaili informoi Rochan dhe drejtorin e sapoemëruar rajonal, Marcello Castellanos, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre,…

Lajme

25/04/2025 17:01

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga delegacioni i BQK-së, zhvilloi një takim me Ines Rocha, drejtoreshë rajonale për Evropë në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore.

Gjatë takimit, Ismaili informoi Rochan dhe drejtorin e sapoemëruar rajonal, Marcello Castellanos, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, mbi zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës dhe reformat e ndërmarra nga BQK-ja në fusha kyçe, si: modernizimi i sistemit të pagesave, digjitalizimi i shërbimeve financiare, avancimi i kornizës ligjore, rritja e përfshirjes financiare dhe promovimi i edukimit financiar – në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Në qendër të diskutimit ishin gjithashtu edhe zhvillimet në lidhje me rreziqet klimatike dhe mjedisore, me theks të veçantë në avancimin e kornizës ligjore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për t’i adresuar ato në sektorin financiar.

Palët diskutuan edhe mbi projektet në zhvillim që lidhen me avancimin e sistemit të pagesave dhe forcimin e kornizës ligjore për institucionet financiare jobankare, të cilat po mbështeten nga IFC.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje dhe theksoi rëndësinë e saj për sektorin financiar në Kosovë.

Në përmbyllje, u ritheksua përkushtimi i përbashkët për vazhdimin e projekteve ekzistuese dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me qëllim të përmirësimit të qasjes në financa dhe ofrimit të shërbimeve financiare gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.