Gucati: Specialja u themelua krejt për diçka tjetër, jo për marifetet që po bëhen atje – s’i besojmë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, të shtunën foli rreth procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të luftës, si dhe për mosvizitat e udhëheqësve shtetërorë atje. Gucati u fokusua edhe në mos vizitën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit në Gjykatën Speciale të Hagës. Sipas Gucatit, Kurtit nuk i punon…

Lajme

15/06/2025 08:25

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, të shtunën foli rreth procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të luftës, si dhe për mosvizitat e udhëheqësve shtetërorë atje.

Gucati u fokusua edhe në mos vizitën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit në Gjykatën Speciale të Hagës. Sipas Gucatit, Kurtit nuk i punon dora ta shkruaj fjalën UÇK , duke e hedhur poshtë pretekstin se ka shumë formular për t’u plotësuar nëse shkohet për vizitë në Hagë, deklaratë kjo e Kurtit.

“Mua është reale se kjo qeveri më ka befasuar, dhe ky kryeministër që është në detyrë ndoshta e keni dëgjuar në një televizion kur thotë ‘bëni të fala Rexhës dhe askujt tjetër’. A ka më dobësi? Ai nuk i ka bërë nder gjeneral Rexhep Selimit vetëm se i ka dërguar të fala”, u shpreh Gucati.

“Nuk po mundesh ta përmendësh emrin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës apo Pjetër Shalës, por të paktën kjo qeveri është dashtë të thotë bëji të fala Rexhës dhe shokëve të tij. E le më të plotësojë letrat për vizitë, por nuk duhen shumë letra, nuk janë 100 letra, janë 12 faqe aplikacioni me i mbush. Ky ka studiuar për 20 apo 30 vjet e nuk po mundet të plotësojë 12 faqe. Por këtij nuk i bën dora, nuk i punon dora të shkruajë UÇK”, ka thënë Gucati në Klan Kosova.

I njëjti ka theksuar se me Qeverinë në detyrë për katër vite asnjëherë nuk patën ndonjë raport, apo kontakt. Gucati pohoi se Qeveria e VV-së asnjëherë nuk u mor me familjarët e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e dalë nga lufta.

“Kjo qeveri, nuk dua ta krahasojë me dikë tjetër, ndoshta edhe armiku nuk do të dinte të sillej kaq keq me ne, për katër vite e gjysmë është në Qeveri nëse nuk gaboj. Kjo qeveri asnjë cent nuk e ka ndarë për shoqatat e dala nga lufta, kjo qeveri asnjë nënë të ndonjë dëshmori nuk e ka quar në ndonjë banjë për rehabilitim, kjo qeveri asnjë invalid të UÇK-së nuk e ka dërguar ta shërojë jashtë vendit, kjo qeveri asnjë veteran dhe asnjë fëmijë të veteranit nuk e ka dërguar për shërim jashtë vendit”.

“Kjo qeveri për katër vjet nuk e di kah hapet dera e Organizatës të Veteranëve të Luftës të UÇK-së. Asnjë raport nuk e kemi me këtë qeveri, unë kur jam lëshuar nga burgu e pata bërë një kërkesë për shoqatat e dala nga lufta, kam informacione se as nuk e ka marrë në dorë e ta shikojë. As nuk e ka marrë ta shqyrtojë, dhe jo se më ka kthyer përgjigje pozitive apo negative. Kjo qeveri vetëm gojën e ka UÇK e dëshmorë, për këtë qeveri janë të mirë ata që kanë vdekur, këta që kanë mbetur të gjallë mbi 3 mijë invalid që jemi nuk jemi të mirë, dhe veteranë”, theksoi Gucati.

Ndër të tjera, Gucati, deklaroi se janë duke punuar në përgatitjet e një draft-dokumenti që ta dërgojnë në legjislaturën e nëntë të Kuvendit, kur të konstituohet, që Gjykata Speciale e Hagës të shuhet, apo që të vendoset në Kosovë.

Ai shton se nuk ka aspak besim në drejtësinë që servon Gjykata Speciale.

“Ne jemi në përgatitje në moment që do të formohen institucionet apo parlamenti i Kosovës, ne jemi duke punuar me disa juristë që t’ua dorëzojmë grupeve parlamentare një draft të shfuqizojë apo që ajo gjykatë të kthehet dhe të vjen në Kosovë, ku e ka vendin këtu, që të vjen në Kosovë. Unë besoj se ky është mision i mundur, pse nuk është e mundur e të kthehet gjykata apo të shfuqizohet krejt. Kjo gjykatë është formuar për krejt diçka tjetër është formuar për shtëpinë e verdhë, dhe jo për këto marifete çfarë kanë ndodhur atje, duke e ditur se me çfarë shpifje është duke punuar dhe me kë është duke punuar kjo gjykatë. Kjo gjykatë ka devijuar krejt, ne nuk besojmë në drejtësinë e saj, sepse kjo gjykatë ka devijuar në fillim”, ka thënë Gucati.