Guardiola tregon nëse Grealish do të luajë sot në finalen e Superkupës

Manchester City do të përballen me Leicester Cityn në finalen e sotme të Superkupës së Anglisë në Wembley, nga ora 18:15.

Sport

07/08/2021 11:46

Pep Guardiola në konferencë për shtyp ka folur para takimit final për më të rejat e skuadrës, ndër të tjera edhe për Jack Grealish nëse do të jetë i gatshëm për të luajtur sot në finale apo jo. Spanjolli konfirmoi se dy lojtarët De Buryne e Foden do të humbasin ndeshjen e sotme finale shkaku i lëndimeve.

Të dy lojtarët u lënduan me kombëtaret e tyre në kampanjën e “Euro 2020”, gjersa lëndimi i Foden është më i rëndë sa pritet të humbasë edhe fillimin e kampionatit, kurse Kevin De Bruyne mund të jetë gati për ndeshjen hapëse të Premier ligës ndaj Tottenham.

“De Bruyne dhe Foden do të jenë jashtë për një kohë”, u përgjigj Pep kur u pyet për të lënduarit në skuadër.

“Phil do të jetë jashtë për një kohë, një lëndim i rëndë, ne duhet të jemi të kujdesshëm me të. Kevin gjithashtu ende është jashtë. Unë mendoj se ai do të kthehet pak më shpejtë se sa duket Phil. Por të dy janë akoma jashtë për një kohë.”

Guardiola u pyet edhe për transferimin e fundit, Jack Grealish nëse do të jetë i gatshëm për të startuar sot në finale:

“Ai nuk është gati të fillojë – ka vetëm një javë stërvitje – por ai do të udhëtojë dhe do të jetë në stol dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë,” shtoi Guardiola.

“Normalisht lojtarët kryesorë përshtaten shpejtë me fizikalitetin, ai duhet ta kuptojë. Ndoshta jam gabim dhe ne nuk mund ta ndihmojmë – por kam një ndjenjë se ai e di se çfarë duhet të bëjë”, përfundoi Pep Guardiola. /Lajmi.net/