Guardiola: Argjentinë, kujdes nga Shaqiri

Pep Guardiola ka kërkuar nga Argjentina të ketë kujdes nga Xherdan Shaqiri. Trajneri spanjoll e konsideron mjaft të rrezikshëm yllin kosovar të Zvicrës.

Sport

27/06/2014 21:03

Pep Guardiola ka kërkuar nga argjentinasit të kenë kujdes të shtuar ndaj Xherdan Shaqirit, kur të takohen Argjentina dhe Zvicra në të tetën e finales së Botërorit.

Trajneri i Bayern Munichut thotë se 22 vjeçari mund t’u shkaktojë kokëçarje Messit me shokë, pasi e njeh mirë lojtarin, me të cilin punon në Allianz Arena.

“Përfaqësuesja e Argjentinës duhet të ketë kujdes nga Shaqiri. Është një djalosh i vogël, por mjaft i fortë. Është i shpejtë dhe gjuan fortë”, deklaroi fillimisht ish trajneri i Barcelonës.

“Në ekipin tim ka bërë punë të mirë, pasi, sa herë e kam futur në lojë, ka bërë gjithmonë gjëra të mira. Dhe në Botëror po luan shumë mirë”, vazhdoi ai.

Shaqiri realizoi tre gola ndaj Hondurasit, duke e ndihmuar Zvicrën të kualifikohet në të tetën e finales së Botërorit.