Gruda u jep leksion zyrtarëve të VV-së: Vendimi i Kushtetueses për tri raunde votimi bazohet në parime kushtetuese dhe analogji juridike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) mbi aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kufizon në tre herë të drejtën e votimit për të njëjtin kandidat për Kryetar të Kuvendit. Përmes një postimi, Gruda ka theksuar se ky vendim nuk është arbitrar, por…

Lajme

09/08/2025 16:30

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) mbi aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kufizon në tre herë të drejtën e votimit për të njëjtin kandidat për Kryetar të Kuvendit.

Përmes një postimi, Gruda ka theksuar se ky vendim nuk është arbitrar, por i mbështetur në parimet themelore të interpretimit kushtetues dhe në metodën e analogjisë, transmeton lajmi.net

Duke iu përgjigjur pyetjes retorike të LVV-së: “Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë? Ku është lidhja kushtetuese dhe doktrinare me numrin tre?”, Gruda sqaron se ekziston një lidhje e qartë, e cila buron nga natyra evolutive e interpretimit kushtetues.

“Interpretimi i Kushtetutës nuk është thjesht lexim i asaj që shkruan aty, por një aktivitet që ka për qëllim parësor të mbushë boshllëqet që ekzistojnë në të,” thekson ai, duke shtuar se këto boshllëqe janë të natyrshme dhe të pashmangshme për një dokument themelor që duhet të përballojë ndryshimet dhe krizat shoqërore e politike.

Gruda përmend edhe referenca nga gjyqtarë të njohur të Gjykatës Supreme të SHBA-së, si John Marshall dhe Charles Evans Hughes, për të ilustruar rolin dinamik të gjykatave në dhënien e kuptimit Kushtetutës. Ai përkujton thënien e Hughes: “Ne jemi nën një Kushtetutë, por Kushtetuta është ajo që thonë gjyqtarët se është.”

Sipas deputetit të PDK-së, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përdorur metodën e analogjisë për të përcaktuar kufizimin në tri raunde votimi, duke u bazuar në dy shtylla kryesore:

  1. Analogjia me zgjedhjen e Presidentit, ku Kushtetuta e Kosovës parashikon tre raunde votimi.

  2. Praktikat krahasimore me kushtetutat e vendeve evropiane, të cilat parashikojnë kufizime të ngjashme në situata institucionale.

“Pra, numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese,” përfundon Gruda, duke mbështetur plotësisht legjitimitetin dhe qëndrueshmërinë juridike të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Postimi i plotë: 

LVV, në reagimin e saj ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kufizoi në vetëm tri herë të drejtën e votimit për të njëjtin kandidat për Kryetar të Kuvendit, paska thënë: “Pse jo dy herë, katër herë, dhjetë herë? Ku është lidhja kushtetuese dhe doktrinare me numrin tre?”
Përgjigjja është se lidhja ekziston, dhe ajo bazohet në parimet dhe metodat e interpretimit kushtetues.
Interpretimi i Kushtetutës nuk është thjesht lexim i asaj që shkruan aty, por një aktivitet që ka për qëllim parësor të mbushë boshllëqet që ekzistojnë në të. Këto boshllëqe nuk ekzistojnë vetëm sepse hartuesit e Kushtetutës nuk i kanë parashikuar, por edhe sepse është e pamundur që çdo normë kushtetuese të parashikojë të gjitha dinamikat dhe ndryshimet shoqërore e politike.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të SHBA-së, John Marshall, ka thënë se Kushtetuta duhet të lexohet si një dokument “i menduar për të qëndruar ndër shekuj dhe, rrjedhimisht, për t’u përshtatur me krizat e ndryshme”. Pra, ajo është një dokument evolutiv, që duhet interpretuar në mënyrë evolutive. Ajo nuk është një manual që rregullon në mënyrë të saktë çdo gjë, por vendos parimet kryesore. Kur interpretohet, siç thotë Marshall, duhet të kemi parasysh “konturet e mëdha” dhe “qëllimet e rëndësishme” të saj.
Kjo lidhet me atë që njihet si “living constitutionalism” – konstitucionalizmi i gjallë ose interpretimi i gjallë, ku gjykatat marrin rolin për të interpretuar Kushtetutën në përputhje me nevojat e shoqërisë dhe për të zgjidhur problemet e saj. Për këtë, një tjetër ish-kryetar i Gjykatës Supreme të SHBA-së, Charles Evans Hughes, ka thënë: “Ne jemi nën një Kushtetutë, por Kushtetuta është ajo që thonë gjyqtarët se është.”
Kjo do të thotë se teksti i Kushtetutës nuk funksionon vetvetiu; ai merr kuptim përmes vendimeve të gjykatave kushtetuese. Nëse një gjykatë vendos se një veprim është kushtetues, atëherë ai vendim bëhet standard ligjor, pavarësisht nëse dikush mendon se kjo pasqyron ose jo “kuptimin e vërtetë” të tekstit.
Kushtetuta nuk duhet parë vetëm si një shprehje e vlerave të shkruara nga hartuesit, por si produkt i një procesi të vazhdueshëm vlerësimi nga ata që kanë mandatin ta interpretojnë atë.
Një nga metodat që përdoret për interpretimin kushtetues është metoda e analogjisë, e cila shfrytëzohet kur ka paqartësi ose boshllëqe në normat kushtetuese. Kjo vlen edhe për Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk përcakton qartë sa herë mund të votohet në Kuvend për të njëjtin kandidat për kryetar. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese ka vendosur numrin “tri herë”, duke u bazuar në dy analogji kryesore:
1. Analogjia e parë: Kushtetuta e Kosovës parashikon tre raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit.
2. Analogjia e dytë: Praktika e kushtetutave të shumë vendeve evropiane, të cilat parashikojnë kufizime të ngjashme në raste të këtilla.
Pra, numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese./lajmi.net/