Gruda: Kuvendi nuk është konstituuar, vetëm Kushtetuesja mund ta zgjidhë këtë kaos

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Gruda ka deklaruar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e PDK-së. “Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund…

Lajme

13/09/2026 13:38

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Gruda ka deklaruar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e PDK-së.

“Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund t’i shkelë afatet dhe pastaj PDK-së t’ia marrë të drejtën kushtetuese”, ka shkruar Gruda.

Ai ka sqaruar se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e saj deri në sqarimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

“E para, PDK-ja nuk ka refuzuar ushtrimin e së drejtës së saj kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit. Përkundrazi, në letrën zyrtare që kemi dërguar kemi sqaruar shprehimisht se nuk heqim dorë nga e drejta jonë për të propozuar, por përmbahemi përkohësisht nga ushtrimi i saj, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë rrethanat kushtetuese të krijuara rreth konstituimit të Kuvendit”, ka thënë ai.

Sipas Grudës, ekziston dallim mes heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj për shkak të kontestit kushtetues.

“Ka dallim thelbësor ndërmjet heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj për shkak të një kontesti kushtetues që kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në reagimin e tij.

Gruda ka akuzuar Vetëvendosjen se ka shkelur afatet për konstituimin e Kuvendit dhe se, sipas tij, ka përdorur “manovra procedurale” që kanë pamundësuar përfundimin e procesit.

“Nuk mund të funksionojë rendi kushtetues sipas standardit që njëra palë i shkel të gjitha afatet, thërret seanca kur dëshiron vetë, nuk e përfundon konstituimin kur ne marrim pjesë dhe, në fund, thërret një seancë tjetër jashtë çdo afati dhe deklaron se Kuvendi qenka konstituuar pa ne”, ka shkruar Gruda.

Ai ka paralajmëruar se një interpretim i tillë, sipas tij, do të krijonte precedent të rrezikshëm kushtetues.

“Një interpretim i tillë do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm kushtetues: pala që ka shkaktuar dhe vazhduar shkeljen e afateve kushtetuese do të përfitonte juridikisht pikërisht nga shkelja e vet”, ka deklaruar Gruda.

Në fund, ai ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta sqarojë dhe ta zgjidhë këtë kaos kushtetues të krijuar nga Vetëvendosja. Prandaj, ne do t’i drejtohemi asaj dhe do ta respektojmë vendimin e saj”, ka shkruar Gruda. /Lajmi.net/