Grenell: Në takimin e 10 korrikut duhet të përfundojë çështja e liberalizimit për kosovarët

I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mbështetjen e plotë për udhëheqjen e liderëve evropianë në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme

08/07/2020 09:06

“Jemi të lumtur që evropianët do të mblidhen në një takim më 10 korrik për diskutime të mëtejshme me Kosovën dhe Serbinë. Ne ofrojmë mbështetjen tonë totale dhe jemi mirënjohës për udhëheqjen e tyre”, shkroi Grenell në Twitter.

Tutje Grenell ka shkruar se është shumë e rëndësishme që në këtë takim të përfundojë çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Çështja e rëndësishme e liberalizimit të vizave do të përfundojë në këtë takim. Shtetet e Bashkuara kanë punuar shumë për të theksuar normalizimin ekonomik midis palëve sepse besojmë se është hapi i parë thelbësor për këtë mosmarrëveshje politike afatgjatë”, ka shkruar ndër të tjerash Grenell, raporton lajmi.net.

Tutje emisari Richard Grenell ka thënë se shpreson që në këtë takim të fillojë edhe zbatimi i marrëveshjeve që janë nënshkruar me ndërmjetësimin e tij në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresojmë që evropianët do të vënë në prioritet edhe zbatimin e marrëveshjeve ajrore, hekurudhore dhe të autostradave që janë nënshkruar më herët. Ne besojmë se këto marrëveshje janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës dhe shpresë për të rinjtë”, ka shkruar ndër të tjerash ai.

Sipas Grenellit, Amerika asnjëherë nuk e ka besuar në një marrëveshje të shpejt brenda vitit midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell ka thënë se përqendrimi kryesor dhe i vetëm i SHBA-ve ka qenë normalizimi ekonomik.

“Asnjëherë nuk kemi besuar në një marrëveshje të shpejtë të vitit zgjedhor midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe kurrë nuk kemi menduar që përqendrimi ynë i vetëm në normalizimin ekonomik do të ishte një zgjidhje e shpejtë. Çështjet e vështira dhe afatgjate politike do të jenë më të lehta për t’u përballur pasi të kenë përparuar së pari çështjet ekonomike. Komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të përpiqet me ide të reja dhe krijuese nëse ndonjëherë do të kemi përparim. Dhe populli i Kosovës dhe Serbia meritojnë vëmendjen e plotë dhe të vazhdueshme të Evropianit”, ka shkruar Grnell, raporton lajmi.net.

Theksojmë se më 10 korrik, përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë do të takohen virtualisht në një samit të organizuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Më 12 korrik, ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqir i takimit të Brukselit do të jetë shefi për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell.

Një takim midis Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, nuk është mbajtur, pasi pak ditë para tij Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Pas paraqitjes së aktakuzës, Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen në takimin në Shtëpinë e Bardhë, e pas tij edhe Hoti.

Grenell, i cili ka qenë organizator i atij takimi, ka paralajmëruar se do të riorganizojë një tjetër së shpejti.

Takimi në Bruksel do të jetë i pari midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, qysh në fund të vitit 2018.

Atëbotë, dialogu është ndërprerë për shkak të një takse që u ka vënë Kosova prodhimeve të Serbisë.

Autoritetet në Kosovë tani i kanë hequr barrierat tregtare me Serbinë. /Lajmi.net/