Gratë shqiptare kërkojnë ndryshimin e mentalitetit, jo të kuotave

Në prag të zgjedhjeve në Shqipëri të 21 qershorit gratë shqiptare kërkojnë 50 për qindëshin e tyre, në listat për kandidatë apo anëtare të këshillave bashkiak.

Lajme

12/04/2015 12:27

Por përtej kërkesave dhe kapacitetit të tyre, duket se iu mungon eksperienca në politikë dhe janë ende skeptike te vetja.

Kështu mendon Elsa Ballauri përfaqësuese e shoqërisë civile dhe drejtoreshë e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut në një intervistë për Kosovapress në Tiranë. ‘Gratë duhet të mbështesin gratë, – thotë zonja Ballauri- para se të kërkojnë mbështetjen e burrave, të cilët e ende e shohin gjininë tjetër si të dobët, të paaftë për të bërë politikë, dhe të denjë vetëm për zonjë shtëpie dhe kuzhiniere”.

“Shifra apo përqindja për mendimin tim është një mekanizëm, por duhet të jetë sa më i shkurtër sa më i përkohshëm. Nga ana tjetër për fat të keq e shoh dyshimin më të madh të grave; nga vetë gratë dhe kjo është një pjesë tjetër. Domethënë kur thuhet 50 %, janë vetë gratë që thonë si shumë janë, pse janë vërtetë të tëra? Kjo vjen mendoj unë nga që gruaja vetë është e pasigurt, i duket peshë e madhe politika. Pastaj ka edhe diçka tjetër se; nëse gruaja e di mirë se çdo bëjë në shtëpi se ka një eksperiencë shumë të gjatë; në politikë s’ka eksperiencë, kështu që ne le ta fusim këtë pjesë dhe ta eksperimentojmë, dhe do vij një moment që ajo do ndihet më e sigurt,” tha Elsa Ballauri.

Megjithëse kuota 50 % duket pak si ‘tepër’ për stadin në të cilën ndodhet aktualisht shoqëria shqiptare, ka ardhur koha, pse jo që dhe në këto zgjedhje që gratë të bëjnë hapa para dhe të eksperimentojnë; të sfidojnë veten duke garuar përballë burrave.

“Mund të jetë tepër por le të jetë, është pak si sfidë e mendoj unë, mund të mos arrihet deri atje por le të ketë një përpjekje për të treguar se mund të bëhet edhe kjo gjë. Ideja e 50 % është për të treguar që në fund të fundit gruaja është gjysma e shoqërisë dhe nuk është një minoritet. Absolutisht dhe unë kështu mendoj dhe në politikë gratë duhet të jenë të suksesshme dhe janë të suksesshme, por kanë nevojë për një kundërshtim etik, një kundërshtim të arsyeshëm dhe jo një kundërshtim vulgar siç ndodh në politikën shqiptare. Nuk arrin dot burri të shikojë përpara vetes një politikane sepse në trurin e tij ai mendon se ajo femër që është përballë tij duhet ta kishte vendin në shtëpi; të mbante fëmijët; apo në kuzhinë apo.Kështu që ne së pari (me 50 %) ndihmojmë burrat të ndryshojnë mentalitetin, por ndihmojmë dhe gratë të cilat janë të pasigurta ose dyshojnë te gratë e tjera,” tha më tej Ballauri.

Por a e sheh ajo në këto zgjedhje drejtimin e Bashkisë më të Madhe në vend nga një femër. Sipas Ballaurit po, ka ardhur koha, megjithëse më e rëndësishme mbetet se sa do të dijë të punojë kryetari i ri i Bashkisë së Kryeqytetit dhe sa do të kontribuojë për mirëqenien e qytetarëve.

“Po sigurisht do kohën e vet dhe do të mbahet, do të ketë angazhim dhe të ketë mbështetje, mbështetje sidomos nga gratë. Mendoj që patjetër që po, për mua e rëndësishme nuk është farë nëse është femër apo mashkull ( kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës) por a di të punojë. Por duke pasur besim se ka femra të cilat mund ta bëjnë këtë gjë them se ja vlen, ja vlen shumë,” tha Elsa Ballauri lidhur me pyetjen nëse është koha që Bashkinë e Tiranës ta drejtojë tashmë një kryebashkiake femër.