“Goldman Sachs” zgjedh fituesin e “Euro 2016”, ku është Shqipëria?

Të parashikosh fituesin e Europianit me model shkencor. Ky është basti i fundit i “Goldman Sachs”, një prej bankave më të mëdha në botë.

Sport

15/06/2016 15:40

Ekonomistët e saj kanë ndërtuar një model ekonometrik, i cili parashikon mundësitë që ka çdo kombëtare për të fituar Europianin. Modeli është i ngjashëm me atë që përdoret për të parashikuar fituesit në lojën e shahut, vetëm se variablat që merren parasysh janë të tjerë.

Por cilat janë rezultatet?

Modeli thotë se kombëtarja që ka më shumë mundësi dhe ajo që ka më pak për ta fituar Europianin bëjnë pjesë në të njëjtin grup, atë A. E para është Franca, ndërsa e dyta Shqipëria.

Sipas “Goldman”, kombëtarja franceze ka 23.1 për qind mundësi për të dalë kampione. Në vend të dytë renditet Gjermania me 19.9 për qind, e më pas me radhë Spanja me 13.6 për qind dhe Anglia me 10.5 për qind.

Ky është ekstremi i sipërm i tabelës. Në atë të poshtmin gjenden Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Shqipëria. Por nëse dy të parat kanë 0.1 për qind mundësi për të fituar kampionatin europian, për Shqipërinë “Goldman” nuk jep asnjë mundësi, duke e kuotuar me 0 për qind.

Sipas modelit, Shqipëria ka mundësitë më të ulëta në çdo fazë të kompeticionit. Për kalimin e grupit shanset janë 7.6 për qind, dalja në gjysmëfinale ka një probabilitet ndodhjeje prej 1.8 për qind, ndërsa për finalen do të duhej një mrekulli e vërtetë me 0.4 për qind.

Por ka një ngushëllim. Në Botërorin e kaluar, i njëti model nxori si pretendent kryesor Brazilin me 48 për qind dhe në vendin e dytë Spanjën. Më pas të gjithë e dimë si përfundoi. Brazili u shkatërrua 7-1 nga Gjermania në gjysmëfinale, ndërsa Spanja nuk kaloi dot as grupin.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.