Gjyshja, kjo “ndëshkuese” e rebelëve rusë (Foto&Video)
Ajo është e njohur si “plaka ndëshkuese”. Është pensioniste, 68 vjeçare, gjyshe, por e vendosur për të luftuar për vendin e saj.
Lajme
Së fundmi i është bashkuar Ushtrisë së Ukrainës në luftën e saj kundër separatistëve prorusë, të cilët po përpiqen t’ia bashkëngjisin Rusisë dy rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk.
Ukrainasja Ekaterina Bilyik, pasi nënshkroi vullnetarisht pjesëmarrjen në luftë, ka thënë se dëshiron tu tregojë të gjithëve, pavarësisht moshës, se mund të japin kontributin e tyre në këtë luftë dhe të ruajnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Unë kam jetuar këtu gjithë jetën time dhe ne i mbijetuam pushtimit nazist dhe atij sovjetikë, dhe unë besoj se është e drejtë, derisa të mund të ecë në këmbët e mia, të mos lejojë kurrë pushtimin e huaj”, ka thënë Bilyik, raporton The Times, transmeton lajmi.net.
Njëra prej zëdhënëseve të Ushtrisë së Ukrainës, Nataliya Ishenko, ka konfirmuar se pensionistja Bilyik ka përfunduar trajnimin ushtarak së bashku me rekrutë të tjerë të rinj.
“Ne kemi nevojë për t’iu dhënë atyre mesazhin se Ukraina është një vend i lirë, dhe në qoftë se atyre nuk u pëlqen kjo, atëherë mund të shkojnë prej këtu dhe të jetojnë në Rusi”, ka thënë Ishenko.
Më shumë se 4800 njerëz janë vrarë dhe mbi një milionë veta janë zhvendosur qysh në prill të vitit të kaluar, kur rebelët prorusë vunë nën kontroll pjesë të dy rajoneve lindore ukrainase, Luhansk dhe Donetsk.
Lëvizjet rebele në këto dy rajone u nxitën nga Moska zyrtare pasi kjo e fundit aneksoi gadishullin e Ukrainës, Krimenë, në mars të vitit të kaluar, gjë që detyroi Perëndimin të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë.
Ukraina pretendon se Rusia ka më shumë se 9000 ushtarë që luftojnë përkrah rebelëve, gjë që Moska zyrtare vazhdon ta mohojë.