Gjyqtari i ndeshjes dramatike Chelsea – Barca: “Do doja të kisha ndihmën e VAR atë ditë”

Ish-arbitri norvegjez Tom Henning Ovrebo u bë personazhi më i urryer në Angli para 10 vitesh, sepse gjykoi Chelsea-Barcelona në Champions League dhe e katranosi, duke bërë gafa të frikshme: 4 penallti nuk u akorduan pro Chelseat, si dhe një karton i kuq nuk iu dha Barcelonës, që u kualifikua me gol në fushë kundërshtare shënuar nga Andres Iniesta në fundin e takimit, që ka hyrë në histori si një ndër ndeshjet e Champions League me arbitrimin më skandaloz.

Sport

07/05/2019 22:08

Ajo njollë i shkatërroi karrierën arbitrit norvegjez, i cili 10 vite pas atij takimi të mallkuar ka folur për revistën “Panenka”, ku kujton atë mbrëmje të tmerrshme dhe vajton mungesën e teknologjisë VAR në atë kohë.

“Do doja të kisha ndihmën e VAR atë ditë. Pas pjesës së parë, unë dhe ndihmësit e mi ndjemë se e kishim ndeshjen nën kontroll. Megjithatë, në fund të ndeshjes nuk e kisha më atë ndjesi. Kur mbërrita në dhomat e zhveshjes, mendova: ‘OK, Tom Henning, kjo nuk ishte mbrëmja jote më e mirë'”, tha Ovrebo.

Një seri gafash bënë që në fund Chelsea të shpërthente, me skenën epike ku Dider Drogba drejtohet nga kamera, duke thënë ‘disgrace, a f****** disgrace’, që në shqip mund të përkthehet “një turp i paparë”.

Në një nga penalltitë e pretenduara nga Chelsea, Eto’o ndali me dorë një gjuajtje të Ballack, por Ovrebo nuk pa penallti: “E pranoj që po vloja përbrenda. Në dhomën e zhveshjes e kuptova sa kaos ishte krijuar dhe sa debate do të pasonin.

“Brenda dy orësh, u transformova nga një arbitër i respektuar në idiotin më të madh të futbollit ndërkombëtar”.

Trajneri Guus Hiddink tha se ishte arbitrimi më i dobët që kishte parë, ndërsa tifozët u tërbuan, aq sa vërshuan kërcënimet me vdekje për Ovrebon.

“U larguam me polici nga pas, na çuan deri tek avioni që do na kthente në shtëpi. Kërcënimet me vdekje ishin thjesht shenjë dëshpërimi që nuk fituan dhe fajtor isha unë, nuk besoj se kishte ndokënd vërtet aq të tërbuar sa të kryente krim”, shpjegon Ovrebo, i cili në Kupën e Botës 2010 nuk ishte fare i pranishëm, ndërsa UEFA ia ndaloi të fliste për mediat./Telesport/