Gjykata në Ferizaj jep 13 vite burgim të dyshuarit për sulm seksual dhe keqpërdorim të të miturave

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka shpallur fajtor dhe dënuar me 13 vite burg të pandehurin K.S., për veprat penale të sulmit seksual dhe keqpërdorimit seksual të personave nën moshën 16 vjeçare. Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, K.S. është dënuar për veprën penale…

Lajme

17/10/2025 10:54

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur ka shpallur fajtor dhe dënuar me 13 vite burg të pandehurin K.S., për veprat penale të sulmit seksual dhe keqpërdorimit seksual të personave nën moshën 16 vjeçare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, K.S. është dënuar për veprën penale të sulmit seksual në vazhdimësi, bazuar në nenin 229 paragrafi 6 në lidhje me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), me 10 vite burgim.

Po ashtu, ai është dënuar me 4 vite burg për veprën tjetër penale – keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare, sipas nenit 235 paragrafi 1 pika 1.3 në lidhje me nenin 81 të KPRK-së.

Dënimi total i shqiptuar ndaj të pandehurit është bashkuar në një dënim unik prej 13 vjetësh burgim, konform nenit 76 paragrafi 2 të Kodit Penal. Në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjykata ka urdhëruar që masa e paraburgimit ndaj të pandehurit të vazhdojë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.

Sipas aktakuzës, K.S. ka ushtruar veprime të ndaluara seksuale ndaj dy të miturave të moshës 12 dhe 14 vjeçare, gjatë periudhave kohore 2012–2013 dhe 2018–2022, në të njëjtin lokalitet, duke shfrytëzuar rrethanat dhe moshën e mitur të viktimave.

Palët në procedurë kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit me shkrim, ankesë e cila dorëzohet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj./Lajmi.net/