Gjuha provokuese nga Veriu
Deputeti i PDK'së, Arsim Bajrami, e quan shqetësuese gjuhën provokuese të Kryetarëve tash legjitimë të Komunave në Veri të Kosovës. Ai kërkon nga institucionet të reagojnë ndaj provokimeve të tilla për të parandaluar çfarëdo veprimi joligjor eventual të tyre.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, deklaroi sot në Kuvend se është shqetësuese gjuha provokuese e Kryetarëve tash legjitimë të komunave në Veri të Kosovës.
Ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që të marrin masa dhe të reagojnë ndaj provokimeve të tilla për të parandaluar çfarëdo veprimi joligjor eventual nga këto komuna.
“Arsyeja e daljes time në këtë foltore, janë pikërisht provokimet që bëhen tani nga kryetarët e zgjedhur të Komunave Veriore dhe jo nga përfaqësuesit joligjor por nga Kryetarët e zgjedhur të komunave të cilët po deklarojnë se nuk do të pranojnë juridiksionin e Kosovës, përkatësisht nuk do të futen në skemat e pushtetit lokal të Kosovës”.
“Mendoj se kjo është një sfidë tani për Kosovën dhe unë angazhohem që të gjitha institucionet e Kosovës, në radhë të parë Qeveria e Kosovës, Ministria e Pushtetit Lokal, të marrë të gjitha masat e nevojshme, të parapara me Kushtetutë dhe me Ligj, që ta monitorojë ligjshmërinë e punës së Kryetarëve të Komunave serbe dhe të Asambleve Komunale dhe të parandalojë çfarëdo veprimi jo-kushtetues apo veprimi joligjor eventual nga këto Komuna”.
“Gjithashtu, angazhohem që sa më shpejt të definohet statusi i Asociacionit të Komunave dhe të shmanget çfarëdo krijimi i etnitetit ekzekutiv të këtij institucioni, në mënyrë që ky institucion të përfshihet në skemën adekuate të funksionimit të pushtetit lokal”.
“Gjithashtu, i bëj ftesë Prokurorisë Publike që të monitorojë implementimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe sipas detyrës zyrtare të fillojë procedurat për çfarëdo aktiviteti në të cilën cenohet rendi kushtetues sepse Kodi i ri Penal që ne kemi miratuar parasheh masat adekuate për të gjitha veprimet të cilat cenojnë drejtpërdrejtë rendin kushtetues”.
“I bëj ftesë edhe Bashkimit Europian që të tregohet korrekt ndaj institucioneve të Kosovës dhe të mos jap statusin e kandidatit të Serbisë, derisa nuk ka prova të sigurta se Komunat e reja serbe, autoritetet e dala nga zgjedhjet lokale të këtyre komunave nuk integrohen brenda skemës së pushtetit lokal, në mënyrë që të jenë të sinqertë karshi politikës së matur dhe politikës pro-aktive që ka zhvilluar Kosova në drejtim të normalizimit të raporteve me Serbinë”.
Përndryshe Bajrami tha se mbajtjen e zgjedhjeve në Komunat Veriore është një hap drejt integrimit.