Gjini pas takimit me senatorët amerikanë: Serbia është burimi kryesor i jostabilitetit në rajon

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Serbia është burimi kryesor i jostabilitetit në rajon, pas një takimi me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Ambasadën e SHBA-së. Përmes një postimi, Gjini ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova,…

Lajme

13/10/2026 12:45

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Serbia është burimi kryesor i jostabilitetit në rajon, pas një takimi me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin në Ambasadën e SHBA-së.

Përmes një postimi, Gjini ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për zhvillimet politike dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova, transmeton lajmi.net.

Ai ka theksuar se integrimi i Kosovës në NATO, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është garanci për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet demokratik.

“Në takim theksova se burimi kryesor i jostabilitetit në rajon është Serbia, me insistimin e saj për zgjerim dhe ndryshim të kufijve. Prandaj, integrimi i Kosovës në NATO, me ndihmën e SHBA-së, është garancia e vetme për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokraci stabile, jo vetëm për Kosovën”, ka shkruar Gjini.

Kreu i Aleancës ka vlerësuar gjithashtu se bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-në është i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, rreshtimi gjeopolitik me Uashingtonin zyrtar përbën një faktor kyç për krijimin e një mjedisi të sigurt për investime dhe për zhvillimin e institucioneve të forta e të pavarura.

Në fund, Gjini ka shprehur mirënjohje për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës, duke përfunduar postimin me fjalët: “Kosova është e bekuar me miqtë e saj!”./lajmi.net/