Gerrard s’e di të ardhmen te Anglia

Steven Gerrard është i pavendosur nëse do të luajë në të ardhmen për Anglinë. Mesfushori i Liverpoolit thotë se për këtë do të vendos shumë shpejt, ndërsa e pranon se ndihet i shkatërruar pas humbjeve të Anglisë në Botëror.

Sport

22/06/2014 19:55

Steven Gerrard nuk e di nëse do të luajë në të ardhmen për përfaqësuesen angleze.

Futbollisti i Liverpoolit ishte fytyra më tragjike e ndeshjes me Uruguain, duke e dhuruar një ‘asist’ pa dashje për Luis Suarez, me ç’rast Anglia pothuajse u eliminua nga Botërori, pas humbjeve nga Italia dhe Uruguai, me rezultat identik, 2:1.

Sigurisht, kapiteni anglez e pranon se ndihet shumë keq. “Nuk do ta marr asnjë vendim rreth së ardhmes sime në Kombëtare gjatë kësaj jave. Kam nevojë për më shumë kohë”, deklaroi fillimisht ai.

“Jam keq, shumë keq. Ndihem i shkatërruar. Lojtarët duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre dhe duhet të shkojmë përpara”, shtoi ai.

“Tifozët duan që ta fitojmë lojën e fundit dhe ne e duam në të njëjtën mënyrë. I kemi marrë katër gola nga pesë gjuajtje të pësuara”, vijoi ai.

“Kemi lojtarë të klasit botëror, por turne si ky arrijnë çdo dy vjet, kështu që duhet të presim dhe të shohim”, përfundoi Gerrard.