Garry Kasparov: Krahasimi Kosovë-Krime, qesharak

Garry Kasparov, kritikuesi më i madh i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, thotë se Kosova pësoi një spastrim etnik nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit dhe argumenti për ndërhyrje ishte shumë i qartë.

Lajme

03/04/2014 22:09

Garry Kasparov ka pranuar faktin që Kosova ka përjetuar eksperiencë tragjike me spastrimin etnik nga Serbia.

Ai në emisionin “Top Story” në Top Channel ka dhënë argumente pse krahasimi Kosovë-Krime nuk përputhet.

“Kosova përjetoi një eksperiencë tragjike, pati një spastrim etnik prandaj argumenti ishte shumë i qartë për ta mbrojtur popullsinë prej brutalitetit të Milloshevicit”.

“Referendumi në Kosovë është organizuar nën monitorimin e autoriteteve ndërkombëtare, disa vende thanë jo, nuk ju pëlqejmë, nuk ju njohim si shtet, megjithatë referendumi ishte mbikëqyrur dhe organizuar sipas rregullave”.

Ish-kampioni i botës në shah, ndër të tjera tha se referendumi i mbajtur në Ukrainë ishte nën ndikimin e kërcënimit të armëve dhe se 97% e qytetarëve të Krimesë e votuan atë ngase e dinin që ishte votimi i fundit i jetëve të tyre.

“Në Krime për vetëm 10 ditë Vladimir Putin gjeti një menaxher perfekt për fushatën e referendumit, zotin Kallashnikov. Referendumi ishte nën kërcënimin e armëve. Ishte një imitim i keq i zgjedhjeve që realizon Putin”.

“Dhe, shakaja që u përhap në Rusi ishte, 97% e qytetarëve të Krimesë votuan për këtë referendum sepse e dinin që ky ishte votimi i fundit në jetën e tyre”.