Mitrovica kujton të zhdukurit gjatë luftës
Me aktivitete të ndryshme në qytetin e Mitrovicës janë përkujtuar personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Nga kjo komunë, 104 qytetarë vazhdojnë të rezultojnë ende të zhdukur, duke mbetur një plagë e hapur për familjet dhe gjithë shoqërinë. Në oborrin e Gjimnazit “Frang Bardhi” janë vendosur simbolikisht 104 karrige, secila me emrin e një…
Lajme
Me aktivitete të ndryshme në qytetin e Mitrovicës janë përkujtuar personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Nga kjo komunë, 104 qytetarë vazhdojnë të rezultojnë ende të zhdukur, duke mbetur një plagë e hapur për familjet dhe gjithë shoqërinë. Në oborrin e Gjimnazit “Frang Bardhi” janë vendosur simbolikisht 104 karrige, secila me emrin e një të zhdukuri, si një kujtesë e dhimbshme dhe një thirrje për drejtësi.
Kryetari i komunës, Faton Peci, ka theksuar se Mitrovica është ndër komunat me numrin më të madh të personave, fati i të cilëve ende nuk dihet. Ai u shpreh se, së paku, obligim moral mbetet që ata të kujtohen dhe të mos lejohet që sakrifica për liri të bjerë në harresë kolektive.
Ndërkaq, këshilltari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara, i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe sigurimin e informacioneve mbi personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ky përkujtim shërben jo vetëm si homazh për të zhdukurit, por edhe si rikujtim se kërkimi për të vërtetën dhe drejtësinë duhet të vazhdojë pa ndërprerje. /Lajmi.net/