Frenkie de Jong nuk largohet, Xavi e dëshiron në ‘Camp Nou’ edhe për disa vite

Ishte në mesin e emrave që thuhej se mund të largohej nga Barcelona, por situata e Frenkie de Jong ka ndryshuar.

Sport

21/03/2022 23:50

Në fakt, gjithçka ka ndryshuar te Barcelona. Jo vetëm situata e Frenkie de Jong. Skuadra duket e ringjallur. Xavi Hernandez ka bërë një mrekulli.

Por, ndryshimet më të mëdha vërehen te Frenkie de Jong, ndoshta edhe për faktin që pritshmëri më të mëdha ka nga ai.

Mesfushori holandez lidhej me një largim të mundshëm nga Barcelona, pasi ishte i humbur në mitikun ‘Camp Nou’, kur Ronald Koeman ishte trajner.

Gjithsesi, situata ka ndryshuar. Barcelona ka një ide të qartë loje. Frenkie është i zhbllokuar.

Fabrizio Romano bën të ditur se Xavi Hernandez i ka thënë bordit të klubit se dëshiron ta ketë holandezin në skuadër edhe për shumë vite, përcjell lajmi.net.

“Në asnjë mënyrë. Dua që Frenkie të qëndrojë”, thuhet t’i ketë thënë Xavi krerëve të klubit, i pyetur për një largim të mundshëm të holandezit.

De Jong ishte jashtëzakonisht produktiv edhe në ‘El Clasico’. Me lojtarin që ka rigjetur formën e tij, edhe tifozët kanë rikthyer dashurinë ndaj tij.

Barcelona e ka të gatshëm një mesfushor të kalibrit botëror. Frenkie do të vazhdojë në ‘Camp Nou’, përkundër zërave të janarit që e largonin lojtarin nga Barca. /Lajmi.net/