Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor në Berlin: Kontribut i përbashkët për pjesëmarrje më aktive dhe bashkëpunim më të mirë të të rinjve
“Krahas aspiratave për integrim evropian dhe demokratizim të thelluar, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor janë gjithashtu të bashkuar nga problemet e përbashkëta, ndaj bashkëpunimi i intensifikuar mes të rinjve është thelbësor për nxitjen e pajtimit dhe tejkalimin e sfidave të sotme”. Ky mesazh u përcoll në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur më 13…
Lajme
“Krahas aspiratave për integrim evropian dhe demokratizim të thelluar, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor janë gjithashtu të bashkuar nga problemet e përbashkëta, ndaj bashkëpunimi i intensifikuar mes të rinjve është thelbësor për nxitjen e pajtimit dhe tejkalimin e sfidave të sotme”.
Ky mesazh u përcoll në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur më 13 dhe 14 tetor në Berlin të Gjermanisë.
Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, u organizua Forumi Rinor nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Zyra Rinore Franko-Gjermane (OFAJ DFJW) dhe shoqata jofitimprurëse Bürger Europas. Forumi Rinor mblodhi mbi 100 pjesëmarrës, duke përfshirë përfaqësues nga qeveritë rajonale, shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së, si dhe të rinjtë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet evropiane. Forumi i këtij viti u përqendrua veçanërisht në shënimin e dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit, duke ofruar një mundësi reflektimi për pjesëmarrësit mbi arritjet e përmbushura deri më tani dhe konsiderimi mbi hapat e ardhshëm për të përmirësuar më tej bashkëpunimin rinor në rajon.
Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Albert Hani theksoi se Procesi i Berlinit si platformë, ka kontribuar shumë sa i përket bashkëpunimit rajonal në dhjetë vitet e fundit, por në fakt të rinjtë janë forca shtytëse e këtij procesi.
“Ju jeni arkitektë të së ardhmes dhe zëri i ndryshimit. Energjia, kreativiteti dhe vendosmëria juaj na frymëzojnë të gjithëve që të përpiqemi për një rajon më të mirë dhe më të begatë”, tha SG Hani dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve dhe partnerëve përkatës në rajon dhe BE të ofrojnë mbështetje edhe më të madhe për të siguruar pjesëmarrje më aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, zgjerimin e bashkëpunimit dhe tejkalimin e problemeve nga e kaluara.
Ai theksoi se krijimi i RYCO-s në kuadër të Procesit të Berlinit dërgoi një mesazh të fortë politik se qeveritë e rajonit duan të bashkëpunojnë, por që ekzistenca e RYCO-s nuk bazohet në interesa por në vlera.
“Misioni ynë është të thyejmë stereotipet, të kapërcejmë përcarjet dhe të fuqizojmë të rinjtë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e rajonit. Duke i vendosur të rinjtë në plan të parë, ne po punojmë për të krijuar kushte për përparimin e rajonit dhe një mjedis në të cilin të rinjtë nga Ballkani janë krah për krah me bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e BE-së”.
SG Hani solli në vëmendje organizimin e më shumë se 400 aktiviteteve gjatë viteve të fundit, përmes programeve dhe iniciativave të RYCO-s, ku rreth 60,000 të rinj janë përfshirë drejtpërdrejt ose fuqizuar dhe mbështetur, së bashku me mbi 240 organizata të shoqërisë civile. Ai gjithashtu tha se në të ardhmen RYCO do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë përmes projekteve dhe nismave të reja për të kontribuar më tej në fuqizimin e tyre.
Gjatë diskutimit në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, veçanërisht kur bëhet fjalë për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Ky bashkëpunim zhvillohet brenda vetë rajonit, si dhe në lidhje me vendet evropiane dhe këtë e shohim në aspektin e tregtisë, shkëmbimit dhe ndërveprimit”, theksoi Reiffenstuel.
Në Forum mori pjesë edhe Hajrulla Çeku , Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe anëtar i Bordit Drejtues të RYCO. Gjatë fjalës së tij në panelin Procesi i Berlinit: “Pjesëmarrja e të rinjve dhe ndikimi i angazhimit të tyre”, – ministri Çeku theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi me BE-në janë thelbësore për prosperitetin kolektiv, dhe se e vërteta, paqja, toleranca dhe demokracia janë vlerat e të rinjve.
“Shumë sfida ende egzistojnë, ne duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë. Por, në të njëjtën kohë, është bërë shumë. RYCO luajti një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin dhe dhe vendosjen e marrëdhenënieve rajonale. Ne besojmë fort se duhet të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe një platformë efektive për dialogun dhe shkëmbimin e të rinjve. Shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata që punuan pa u lodhur për ta bërë RYCO shembull pozitiv për paqen e qëndrueshme në rajon”, tha ministri Çeku.
Gjatë fjalës së saj në të njëjtin panel diskutimi, përfaqësuesja rinore në Bordin Drejtues të RYCO, Donika Zogu, theksoi se Procesi i Berlinit shërben si platformë unike dhe se është përballur me sfida të mëdha, si uniteti social, punësimi dhe dialogu ndërkulturor, por që zgjedhjet e këtyre janë bërë duke kontribuar në dobi të të gjithë rajonit.
“Rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Shumë të rinj në rajon ende luftojnë me pengesa si papunësia dhe mundësitë e kufizuara për të pasur një fjalë të vërtetë në vendimmarrje. Por falë platformave si Procesi i Berlinit dhe organizatave si RYCO, ne po i thyejmë këto barriera. Angazhimi ynë po nxit ndryshime pozitive dhe po kontribuon në zhvillimin e shoqërive tona në mënyra kuptimplota dhe të qëndrueshme,” tha Zogu duke shtuar se kupton çdo ditë e mëshumë të punës së saj në rolin si përfaqësuese e të rinjve mbi potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor dhe ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të fuqizojnë rininë.
Dita e parë e Forumit Rinor WB6 u përmbyll me ekspozitën “SIX STEPS UP” me portretet e të rinjve nga rajoni dhe perspektivat e tyre për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.
Forumi u parapri nga një Shkëmbim Ndërkombëtar Rinor i titulluar “Të jesh aktiv – Pjesëmarrja e të rinjve për një të ardhme demokratike”, i cili mblodhi së bashku 30 pjesëmarrës të rinj nga Ballkani Perëndimor me 12 bashkëmoshatarë nga Franca dhe Gjermania nga data 9-15 tetor. Përmes eksplorimit të zhvillimeve të fundit historisë të Gjermanisë, ata mësuan për sfidat e rivendosjes së marrëdhënieve rajonale dhe mënyrat për t’u lidhur në politikën lokale dhe shoqërinë civile për të vendosur paqe dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.
Ndër pjesëmarrësit që patën mundësinë të takonin politikanë të rinj nga Bundestagu gjerman dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe rolin e politikës lokale në BE, ishin edhe pesë të rinj nga Shqipëria: Ema Mecaj, Diogjen Kolici, Kostian Jano, Fiorela Hoxhaj dhe Enia Hoxha.
Fokusi i ditës së dytë të Forumit ishte në qasjen e zgjeruar strategjike të RYCO-s për ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor, nga shkëmbimi i përvojës së shkuar deri te përcaktimi i objektivave për periudhën e ardhshme trevjeçare. Nëpërmjet një sërë panelesh, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi pozicionin e të rinjve në formësimin e bashkëpunimit dhe rivendosjen e marrëdhënieve rajona në Ballkanin Perëndimor dhe pozicionin e RYCO si një mekanizëm ndërqeveritar rajonal përgjegjës për bashkëpunimin rajonal rinor në të ardhmen.
Gjithashtu, Forumi shërbeu si një mundësi për të shpallur hapjen e Thirrjes së 6-të për organizatat e shoqërisë civile në rajon, si një përpjekje shtesë për të mbështetur të gjithë aktorët e interesuar në nivel rajonal dhe për të ofruar më shumë mundësi shkëmbimi për të rinjtë.
Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor mbahet për të disatën herë radhazi që nga viti 2021 si pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit, duke shërbyer si një platformë unike për angazhimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të të rinjve, si dhe profesionistëve që punojnë në sektorin e rinisë në nivel rajonal dhe evropian.