Foda pas ndeshjes kundër Izraelit: Duhet jemi të kënaqur me barazimin, ky konstalacion i skuadrës nuk ka luajtur kurrë bashkë

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur pas barazimit pa gola ndaj Izraelit, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe vendimin për t’u dhënë mundësi futbollistëve të rinj. Në një prononcim për Klan Kosovën, Foda tha se ndeshja ishte e vështirë përballë një kundërshtari teknikisht të fortë, ndërsa theksoi se në përgjithësi është i kënaqur me…

Sport

01/10/2026 23:35

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur pas barazimit pa gola ndaj Izraelit, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe vendimin për t’u dhënë mundësi futbollistëve të rinj.

Në një prononcim për Klan Kosovën, Foda tha se ndeshja ishte e vështirë përballë një kundërshtari teknikisht të fortë, ndërsa theksoi se në përgjithësi është i kënaqur me pikën e marrë.

“Ne jemi në Nations League dhe çdo herë e kam thënë se vitin ardhshëm e kemi synim kualifikimin në Kampionatin Evropian. Për këtë arsye kam vendosur që të prezantoj fytyra të reja”, deklaroi Foda, transmeton lajmi.net.

Trajneri gjerman vlerësoi angazhimin e futbollistëve, duke theksuar se formacioni i përdorur ndaj Izraelit nuk kishte luajtur më parë së bashku.

“Djemtë e kanë bërë punën e tyre. Ka qenë një ndeshje mjaft e fortë kundër një ekipi teknikisht të fuqishëm. Ky konstalacion i skuadrës nuk ka luajtur kurrë bashkë dhe, marrë në përgjithësi, duhet të jemi të kënaqur me një barazim”, u shpreh ai.

Kosova tani e kthen vëmendjen te ndeshja e radhës ndaj Austrisë, e cila do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Dardanët” do të kërkojnë fitore për të mbajtur gjallë objektivin e tyre në Ligën e Kombeve. Në përballjen e parë mes dy skuadrave, Austria triumfoi me rezultat 3–1./lajmi.net/