FM: Ndeshja mes Maqedonisë V dhe Kosovës nuk është në rrezik, por mund të luhet pa tifozë

Federata e Futbollit të Maqedonisë Veriore është deklaruar lidhur me ndeshjen që skuadra e tyre e luan kundër Kosovës.

Sport

05/03/2020 20:13

Më 26 mars, në kuadër të Ligës së Kombeve, Maqedonia dhe Kosova përballen në gjysmëfinale, me synimin e vetëm – fitoren.

Para kësaj ndeshje, për ‘Ekipa.mk’ kanë folur zyrtarë të FM, të cilët kanë bërë të ditur se deri më tani, ndeshja nuk është në rrezik të luhet, por ekziston mundësia të luhet pa tifozë.

“Ne gjithashtu jemi konsultuar edhe në Amsterdam, gjatë kongresit të UEFA, lidhur me këtë temë. Mund të them se ne si federatë duhet të respektojmë rekomandimet e qeverisë dhe sigurisht ndeshjet e ligës do të luhen pa audiencë, deri më 13 mars” ka thënë zëdhënësi i FM, Zlatko Andonovski, transmeton lajmi.net.

“Deri më tani, ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës nuk është në rrezik, por ka shqetësime rreth tifozërisë. Nuk përjashtohet mundësia që të luhet pa tifozët, por gjithçka varet nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Nëse ka ndonjë vendim, ne do të njoftojmë UEFA. UEFA po monitoron situatën në të gjitha vendet” ka shtuar ndër të tjerash Andonovski.

Por, biletat për ndeshjen Maqedoni – Kosovë janë në shitje tashmë. Çfarë ndodh nëse ndeshja luhet pa tifozë?

“Ne kemi diskutuar edhe këtë problem me institucionet përkatëse dhe nëse një vendim i tillë aprovohet, atëherë të gjithë ata që kanë blerë biletat do t’iu kthehen të hollat” ishte përgjigja e zëdhënësit të federatës maqedonase të futbollit.

Mbetet të shihet nga ditët në vazhdim nëse ndeshja mes Maqedonisë dhe Kosovës do të luhet me apo pa tifozë. /Lajmi.net/