Fiton Lazio e Canës, Basha e mposht Ibraimin

Lazio e ka mposhtur Parmën 3:2, në një ndeshje dramatike deri në minutën e fundit të takimit, në kuadër të xhiros së 31-të në Serie A. Futbollisti kosovar, Lorik Cana  ka luajtur 66 minuta në këtë takim, duke ia lëshuar vendin bashkëlojtarit Balde Diao Keita. Gjithashtu, futbollisti gjakovar është ndëshkuar me karton të verdhë në…

Sport

30/03/2014 15:01

Lazio e ka mposhtur Parmën 3:2, në një ndeshje dramatike deri në minutën e fundit të takimit, në kuadër të xhiros së 31-të në Serie A.

Futbollisti kosovar, Lorik Cana  ka luajtur 66 minuta në këtë takim, duke ia lëshuar vendin bashkëlojtarit Balde Diao Keita.

Gjithashtu, futbollisti gjakovar është ndëshkuar me karton të verdhë në këtë takim. Kurse, portierët Etrit Berisha e Thomas Strakosha kanë qëndruar në bankinë.

Golat për Lazion i shënuan Senad Lulic, Miroslav Klose e Antonio Candreva, ndërsa për mysafirët shënuan Jonathan Biabiany e Michael Ciani (autogol). Lazio është e teta me 45 pikë të grumbulluara.

Ndërkohë, Migjen Basha e ka mposhtur Agim Ibraimin. Në fakt, Torino fitoi ndaj Cagliarit me rezultat 2:1. Të dy futbollistët luajtën nga minuta e parë, për ekipet përkatëse.

Mesfushori kosovar luajti 80 minuta, duke ia lëshuar vendin bashkëlojtarit Alexander Farnerud, kurse sulmuesi shqiptar nga Maqedonia u paraqit 79 minuta, për t’ia liruar vendin Andrea Cossu.

Golat për Torinon i shënuan Omar El Kaddouri dhe Alessio Cerci, kurse për Cagliarin realizoi Nene.