Fillon java e aktiviteteve kundër korrupsionit
Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, një numër i organizatave vendore dhe ndërkombëtare do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh gjatë tërë javës së ardhshme, prej 5 deri më 9 dhjetor.
ShowBiz
Ngjarjet do të organizohen dhe mbështeten nga një numër i organizatave jo-qeveritare lokale, institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe ambasadave – me një mesazh të përbashkët: Të Bashkuar Kundër Korrupsionit (United Against Corruption) për zhvillimin, paqen dhe sigurinë, që është edhe moto globale e Ditës Ndërkombëtare Kundër-Korrupsion për 2016.
Pjesë integrale e kësaj iniciative është edhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me ngjarjet që do të zhvillohen përmes projektit Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë (SAEK) që është duke u implementuar tash e 4 vite.
Në ditën e parë të aktiviteteve që nga sot UNDP do të organizoj hapjen e Muzeut të Korrupsionit.
Në ora 12:00, në sheshin “Adem Jashari” do të hapet solemnisht Muzeu i Korrupsionit.
Në këtë muze – që ka karakter satirik – vizitorët mund të përjetojnë kohën “kur korrupsioni egzistonte në shoqërinë tonë”.
Kjo është paraqitja e dytë e muzeut të tillë, ku për herë të parë është “hapur” si instalacion publik gjatë festivalit të filmave dokumentar “DOKUFEST”, në Prizren.
Muzeu do të jetë i hapur nga 5-9 dhjetor, nga ora 9:00–20:00 dhe hyrja është falas.