Ferizaj së shpejti me qendër të përpunuesve të drurit

Përpunues të drurit nga komuna e Ferizajt u takuan sot për të mësuar detajet nga projekti i Komisionit Evropian, i cili ka për synim hapjen e një qendre të përpunuesve të drurit në këtë komunë.

Lajme

14/04/2015 17:06

Siç tha drejtoresha e organizatës CDF, bashkë implementuese e këtij projekti, përpunuesve të drurit nga Ferizaj, Kaçaniku e Shtërpca do t’u ofrohen shërbime të makinës CNC, trajnime për shkathtësi të përgjithshme menaxheriale, menaxhim të resurseve, marketing, shitje dhe standardizim.

Dhjetë përpunues të drurit do të certifikohen edhe me standarde ISO të kualitetit si dhe të marrin pjesë në panaire ndërkombëtare, duke rritur kështu edhe mundësinë e eksportit të produkteve.

E, komuna e Ferizajt, për ndërtimin e qendrës do të ndajë një parcelë në fshatin Greme të Ferizajt.

Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa tha se kanë zgjedhur Gremen, sepse aty janë të vendosura bizneset më të suksesshme të përpunimit të drurit.

“Pjesa ma e madhe e bizneseve për përpunimin e drurit janë në Greme dhe interesimi ynë është që përmes procedurave të Kuvendit ta shpallim një zonë të interesit pikërisht në Greme, sepse ky projekt kap shumën 550 mijë euro, ne kemi një participim 50 mijë euro në këtë projekt dhe participojmë me lokacionin se ku do ta vendosim”, ka thënë kryetari Svarqa.

Enver Krasniqi bashkë realizues i projektit konsideroi se ky projekt është nga më të qëndrueshmit në Kosovë.

Në komunën e Ferizajt janë aktivë 170 prodhues të mobilieve. Për të përfituar nga projekti i Bashkimit Evropian ata do të mund të aplikojnë deri më datën 30 prill të këtij viti.