Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër banderolën provokuese në ndeshjen Lech Poznań – Crvena Zvezda

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dënuar me ashpërsi shfaqjen e një banderole me mesazhin provokues “Kosova është Serbi” nga tifozët e klubit polak Lech Poznań gjatë ndeshjes së raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës. Ky veprim u konsiderua si një provokim i rëndë politik, i papranueshëm dhe i…

Sport

07/08/2025 17:07

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dënuar me ashpërsi shfaqjen e një banderole me mesazhin provokues “Kosova është Serbi” nga tifozët e klubit polak Lech Poznań gjatë ndeshjes së raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.

Ky veprim u konsiderua si një provokim i rëndë politik, i papranueshëm dhe i turpshëm nga ana e FFK-së, duke theksuar se futbolli është një arenë sportive ku nuk duhet të ketë vend për mesazhe politike apo diskriminuese, transmeton lajmi.net

“Federata i cilëson këto akte si shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, që ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume,” thuhet në reagimin zyrtar.

FFK kritikon edhe deklaratën e klubit serb Crvena Zvezda, i cili publikisht falënderoi Lech Poznań-in dhe tifozët e tij për këtë mesazh, duke e quajtur atë “mbështetje”.

Federata ka njoftuar se menjëherë pas vërejtjes së këtij incidenti ka iniciuar një ankesë zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań për sjelljen e tifozëve, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për nxitjen dhe legjitimizimin e këtij mesazhi kundër shtetit të Kosovës.

Reagimi i plotë: 

Reagim i FFK-së pas banderolës provokuese në ndeshjen Lech Poznań – Crvena Zvezda

Federata e Futbollit e Kosovës e dënon ashpër shfaqjen e një banderole provokuese dhe të papranueshme nga tifozët e Lech Poznań në ndeshjen e mbrëmshme të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.

Gjatë kësaj ndeshje, në tribunën e tifozëve polakë u shfaq një parullë me mesazhin “Kosova është Serbi”, ndërsa klubi serb më pas e falënderoi publikisht Lech Poznań-in dhe tifozët e tij për këtë veprim, e që e quajti “mbështetje”.

Federata e Futbollit e Kosovës i cilëson këto akte si provokim të rëndë politik, të turpshme e të papranueshme në një ngjarje sportive dhe shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, e të cilat ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume.

Këto janë sjellje që nuk i shërbejnë futbollit dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit sportiv.

FFK, menjëherë pasi ka vërejtur një shkelje të tillë, ka nisur procedurën e paraqitjes së ankesës zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań, përgjegjës për sjelljen e tifozëve të tij, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për deklaratat publike që nxisin dhe legjitimojnë mesazhe kundër shtetit të Kosovës.

FFK, si anëtare e UEFA-s, mbron dhe promovon vlerat që futbolli duhet të mbetet jashtë provokimeve politike dhe duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo përçarjeje, por kërkon me ngulm që këto parime të mbrohen edhe nga federatat tjera anëtare./lajmi.net/