Fatos Geci thotë se u kërcënua me vrasje për shkak të qëndrimeve të tij politike për Gjykatën Speciale
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka bërë të ditur se është përballur me kërcënime serioze, përfshirë edhe kërcënime me vrasje, për shkak të qëndrimeve të tij politike dhe votimit lidhur me Gjykatën Speciale. Geci ka treguar se rastin e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, në njësinë për krime të rënda, ku sipas tij…
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka bërë të ditur se është përballur me kërcënime serioze, përfshirë edhe kërcënime me vrasje, për shkak të qëndrimeve të tij politike dhe votimit lidhur me Gjykatën Speciale.
Geci ka treguar se rastin e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, në njësinë për krime të rënda, ku sipas tij ka dorëzuar të gjitha informacionet që posedon për personin që e ka kërcënuar përmes telefonit.
“Rasti tashmë është në procedurë hetimore dhe pres që organet kompetente të veprojnë sipas ligjit”, ka shkruar Geci.
Ai ka theksuar se dallimet politike dhe debatet janë pjesë e demokracisë, por ka kundërshtuar kërcënimet ndaj jetës.
“Mund të kemi bindje të ndryshme politike, mund të debatojmë dhe të mos pajtohemi, por kërcënimet për jetë nuk janë politikë”, ka deklaruar Geci.
Deputeti ka thënë se do të vazhdojë ta kryejë detyrën e tij dhe të qëndrojë pas bindjeve të tij politike, pavarësisht kërcënimeve. Ai gjithashtu ka shprehur keqardhje për vrasjen e djalit të dajës së tij dhe për viktimat shqiptare politike gjatë dhe pas luftës.