Fajin nuk e ka Dekreti ligjor, fajin e ka vullneti i gjorë: mbi “60” ditëshin apo “61” votat!

Dr.Sc. Bardhyl HASANPAPAJ Si mund të imagjinohet që Kuvendi i Kosovës edhe pse ka dështuar të zgjedhë Presidentin, nuk u deshka të shpërndahet? Madje, përkundrazi, u deshka të shpërblehet edhe me nja 3 shpërblime: 1) me 60 ditë shtesë, 2) që për këtë dështim Kuvendi të bëhet vet edhe President, pra të mos shpërndahet fare,…

Lajme

21/03/2026 21:02

Dr.Sc. Bardhyl HASANPAPAJ

Si mund të imagjinohet që Kuvendi i Kosovës edhe pse ka dështuar të zgjedhë Presidentin, nuk u deshka të shpërndahet? Madje, përkundrazi, u deshka të shpërblehet edhe me nja 3 shpërblime: 1) me 60 ditë shtesë, 2) që për këtë dështim Kuvendi të bëhet vet edhe President, pra të mos shpërndahet fare, madje të ketë vet edhe Presidencën dhe 3) të zgjedhë Presidentin pas afatit strikt Kushtetues, dhe çdo gjë të vazhdojë sikur asgjë ska ndodhur?! Pra a duhet të shpërndahet Kuvendi që ka dështuar të zgjedhë Presidentin, apo duhet ta shpërblejmë atë duke e bërë vet Kuvendin edhe President, përmes Kryetares së tij?! Desh harrova, shpërblimi kërkohet edhe më i madh, pra shpërblimi numër 4), që Gjykata ta zgjedh me vendim gjyqësorë Presidentin, pra që t’i detyrojë deputetët që nuk paskan vullnet ta zgjedhin Presidentin dhe kështu ta shpëtojmë përfundimisht Kuvendin. Pra këtë ‘kuvendim’ta bëjmë me ‘vendim’ për Kuvendin edhe vendin.

E para: Kuvendi ka dështuar. Këtë nuk e them vetem unë apo i tërë opinioni publik që ka parë natën e 5 marsit. Këtë e thot vet letra e Kryetares së Kuvendit drejtuar GJK.

Pak minuta para se akrepat e orës ta përmbyllnin 24 orëshin e datës 5 mars 2026, për ti lënë vendin datës 6, Kryetarja e Kuvendit i drejtohet Gjykatës Kushtetuese (GJK) me një shkresë duke e lajmëruar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të zgjedhë Presidentin e Republikës. Në këtë letër thuhet se është bllokuar procesi i zgjedhjes së Presidentit dhe nuk është arritur që kjo të bëhet në afatin kohorë të përcaktuar me Kushtetutë. Jo vetëm që tregon se nuk kanë arritur ta zgjedhin por edhe se nuk dinë se si ta zgjedhin, duke kërkuar ndihmë dhe sqarime për këtë proces.

E dyta: nuk po kërkohet vetem ‘kohë’ shtesë, po kërkohet edhe ‘detyrim’ shtesë.

Letra e natës së 5 marsit, përveçse e lajmëron për këtë dështim, Kryetarja e Kuvendit (së bashku me 10 deputet tjerë) i kërkon GJK që të ndryshojë praktiken e deritanishme dhe të detyrojë deputetët të futen në sallë dhe të votojnë “pro”, “kundër” apo “abstenim”. Pra, meqenëse Kuvendi nuk po e zgjedh dot Presidentin vet, në konsulta politike dhe me anë të votave të deputetëve, mazhoranca kërkon që këtë ta bëjë GJK. Në këtë kërkesë nuk kërkohen edhe 60 ditë shtesë, thjeshtë kërkohet që deputetët e Kuvendit të ‘detyrohen’ me vendim gjyqësorë të GJK, që të jenë present dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidenti në raundin e 3 të votimit me 61 vota. Pra nuk kërkohen 60 ditë për zgjedhjen e Presidentit, por po kërkohet që deputetët e mazhorancës të jenë në gjendje ta zgjedhin atë me vetëm 61 vota.

E Treta: koha ka mbaruar, afati ka kaluar por kërkesa është që edhe kjo të kthehet, koha të ngihet.

Letra drejtuar GJK spjegon kronologjinë e rastit, duke treguar që seanca për zgjedhjen e Presidentit është thirrur në orën 22:00 të natës së 5 marsit, pra diten e fundit të afatit në dispozicion, duke shpjeguar në detaje vijueshmërinë e seancës (atë që i tërë populli i Kosovës e ka parë live në të gjitha TV Kosovare, dhe jo vetëm) dhe faktin që tashmë e kanë ndërprerë atë meqë nuk dinë se si të veprojnë pas këtij afati kushtetues.

Në letër thuhet se (citoj) “Neni 65 (7) i Kushtetutës përcakton se Kuvendi zgjedh Presidentin, ndërsa neni 86(2) i Kushtetutës kërkon që zgjedhja të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit andaj kjo është një obligim procedural kushtetues dhe deputetët e caktuar nuk mund të pengojnë këtë procedurë përmes sabotimeve të qëllimshme që shkaktojnë duke refuzuar të marrin pjesë në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit….”

Më tej letra shpjegon edhe faktin e shpërndarjes së Kuvendit, duke ia sjell në vëmendje gjykatës se (citoj):

“Në nenin 82 të Kushtetutës janë përcaktuar qartë rastet se kur shpërndahet Kuvendi. Tre rastet e para: (1) kur nuk mund të formohet Qeveria, (2) kur për shpërndarje votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe (3) pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë, … edhe rasti tjetër (4) nga Neni 82 (3.3) mosgjedhja e Presidentit brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës…”

Po të analizohet kjo letër drejtuar GJK, shihet fare qartë që Kuvendi i kërkon GJK ta zgjedhë Presidentin, duke i kërkuar që të pezullojë edhe kohen, pra edhe të ndalojë rrjedhjen e afateve Kushtetuese që tashmë kanë kaluar. Prandaj në fund Propozimi i Kryetares me 10 deputet, është i qartë që të merret një Aktgjykim që (ndër tjerash):

Të konstatojë shkeljen kushtetuese të deputetëve që nuk kanë marrë pjesë në seancë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Të konstatojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, qoftë pro, kundër apo abstenim dhe të mos pengojnë krijimin e kuorumit të nevojshëm në raundin e parë dhe të dytë të votimit, si dhe masat/sanksionet përkatëse në rast se ndodhë një gjë e tillë.

Të përcaktojë rikthimin në afat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Në këto rrethana, i tërë debati juridik dhe politik sot në Kosovë është përqëndruar mbi dilemën se a do ia lejojë Gjykata Kushtetuese mundësinë Kuvendit të Kosovës që afatin prej 60 ditësh ta shfrytëzoj si një të drejtë Kushtetuese që mbizotëron ndaj të gjitha afateve tjera Kushtetuese, apo edhe një afat tjetër disa ditorë që nuk do të ishte asgjë tjetër përpos një shpikje imagjinare pa bazë kushtetuese. Megjithatë, beteja politike dhe kërkesa në thelb nuk ka të bëjë vetëm me nevojën për të pasur 60 ditë kohë shtesë, përkundrazi, ka të bëjë me të drejtën që Presidenti të zgjihet me vetëm 61 vota. Pra, në vend që përmes debatit politik dhe marrëveshjeve ndërmjet partive politike kërkesa ngërthen në vetvete idenë që Presidenti të zgjidhet me vendim gjyqësor nga Gjykata Kushtetuese, me të cilin do ti detyronte të pakten 80 deputet të qëndrojnë në seancën për të bërë kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh në dy votimet e para.

Pra deputetët e mazhorancës kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të detyrojnë deputetët, të paktën 14 sosh nga partitë opozitare, që të qëndrojnë në sallë, të votojnë “pro”, “kundër” apo “abstenim”, dhe të cilët së bashku me 66 deputetët e mazhorancës qeverisëse, të përmbushin dy raunde votimi me nga 80 deputet pjesmarrës aktiv në votim, në atë mënyrë që t’i hapin rrugën raundit të tretë të votimit dhe të zgjedhin presidentin me 61 votat e mazhorancës. Pra, të jemi të qartë, kërkesa është që Gjykata Kushtetuese të detyrojë opozitën që duke qëndruar detyrimisht në sallë, t’ia mundësojë partisë në pushtet që të zgjedh Presidentin e Republikës, me 61 votat që i ka, duke e marrë kështu edhe Presidencën për pesë vitet e ardhshme, bashkë me shumicën në Kuvend dhe Qeverinë, dhe që e gjitha kjo të bëhet me bekimin e vet Gjykatës Kushtetuese.

Pra e gjithë lufta politike nuk është vetëm për 60 ditë shtesë, por që Presidenti të mund të zgjidhet vetëm me 61 vota, duke ndryshuar praktiken aktuale nga GJK. Pra Kuvendi, vet, me shkresë zyrtare, e pranon se nuk mund të bëhen dot 80 deputet që kanë vullnet për ta zgjedhur Presidentin dhe se ka kaluar afati kushtetues për ta bërë një gjë të tillë. Por e vërteta ligjore është se të gjitha këto dilema e pretendime janë sqaruar tashmë me Vendimin e GJK nr KO47/16, të paraqitur nga LVV ndaj zgjedhjes së Presidentit Hashim Thaqi. Në këtë rast, ishin të siguruar mbi 80 deputetë prezent në sallë përmes marrëveshjes përkatëse politike, por VV marrë parasysh që nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshje, pretendonte që në sallë duhet të ishin të pranishëm jo më pak se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit, përfshirë pra edhe deputetët jo shumicë.

E tëra që u tha më sipër është me shumë rëndësi për tu kuptuar para se të flasim për Dekretin e Presidentes së Kosovës, pra për Dekretin e datës 6 mars për Shpërndarjen e Kuvendit. Jo vetëm se përbën faktin e qartë juridik, që është parë nga seanca publike e natës së vonë të 5 marsit 2026, transmetuar live në shumicen e TV dhe mediave, por sepse me këtë shkresë zyrtare, konfirmohet dhe pranohet se Kuvendi ka dështuar të zgjedh Presidentin e Republikës

Prandaj, e si mund ta fajësojmë Presidenten në të gjithë këtë katrahurë?! Kuvendi jo vetëm që nuk e ka zgjedhur Presidentin në afatin kushtetues, por edhe nuk e din se si duhet të zgjidhet ai/ajo, duke i kërkuar sqarime Gjykatës Kushtetuese në orën e fundit të natës së fundit të afatit të qartë Kushtetues. Kjo është edhe arësyeja e qartë dhe e thjeshtë se pse Dekreti është tërësisht Kushtetues. Në mungesë të një Dekreti të tillë, do të kishim sot 120 deputetët që kanë dështuar në këtë veprim, duke na u paraqitur me qindra mendime e veprime se a është apo nuk është shpërndarë Kuvendi, duke e kthyer këtë detyrim kushtetues në një fontanë imagjinatash e dëshirash.

Në këto rrethana, nuk mund të fajsohet Dekreti. Dekreti është tërësisht ligjor, thjeshtë mungon vullneti i gjorë.