“Është një moment i rëndësishëm që definon të ardhmen tonë” – Totaj flet për hapat pas aktgjykimit në Hagë
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së do të diskutohen hapat e ardhshëm pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Çfarë vendimi do të çojmë përpara nuk e di, por kemi një takim, do t’i analizojmë hapat e ardhshëm, si do të veprojmë, si do të…
Lajme
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së do të diskutohen hapat e ardhshëm pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Çfarë vendimi do të çojmë përpara nuk e di, por kemi një takim, do t’i analizojmë hapat e ardhshëm, si do të veprojmë, si do të sillemi, sepse është një moment i rëndësishëm i cili e definon të ardhmen tonë si shtet. Do të bisedojmë, do të diskutojmë rrugë institucionale, marrjen e këtij vendimi”, tha Totaj.
Ai tha se shpreson që Qeveria e Kosovës do ta ndryshojë qasjen e saj, duke përmendur edhe fondet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Sinqerisht, kam një shpresë se Qeveria do t’i hapë sytë, do të përballet me realitetin dhe do të japë një kontribut më serioz, sepse e dimë si janë sjellë. I kanë ndalur fondet e mbrojtjes dhe mund të ketë qenë edhe ai një element rëndues për këtë vendim në gjykatë”, tha Totaj.
I pyetur për mundësinë e zhbërjes së Gjykatës Speciale, Totaj tha se nuk ka informacion për ndonjë nismë të tillë.
“Nuk e di, s’kam informacion se ka një nismë të tillë, por në mbledhje do ta vlerësojmë a është e mundur, sepse, me sa kam informacione, duhet edhe votat e komuniteteve jo-shumicë. Nëse ka pengesa të kësaj natyre, atëherë është e parealizueshme”, tha ai. /Lajmi.net/